Video

Opozita kundërshtoi miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare

1
 

Disa marrëveshje ndërkombëtare nuk kanë arritur të miratohen në seancën e sotme të Kuvendit për shkak të dakordimit të partive opozitare për të mos i mbështetur me votë. Në këtë seancë, deputetët kanë debatuar ashpër mes vete, mes të tjerash edhe për krizën energjetike dhe shitjen e distribucionit të KEK-ut

Disa marrëveshje ndërkombëtare kanë dështuar që të miratohen të premten në seancën e Kuvendit. Grupet parlamentare opozitare u dakorduan për mosmbështetje të këtyre marrëveshjeve, pasi që nuk u pajtuan me një mocion procedural të shefes së Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, për t’i futur në rend të ditës 12 projektligje të tjera.

Grupet parlamentare opozitare akuzuan pozitën se futjen me shpejtësi të këtyre ligjeve në procedurë të Kuvendit po e bën për të kamufluar se e ka përmbyllur vitin duke e përmbushur në mënyrë të kënaqshme agjendën legjislative. Në këtë mbledhje plenare u diskutua edhe për krizën energjetike, variantin Omicron e masat e Qeverisë kundër COVID-19.