Video

Pahor: Të zbatohen marrëveshjet me Serbinë, përfshirë Asociacionin

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, të hënën ka qëndruar për vizitë në Kosovë. Ai ka zhvilluar takime më presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti. Në një konferencë të përbashkët për media me Osmanin, Pahori ka thënë se marrëveshjet e arritura me Serbinë, përfshirë ajo për Asociacionin, duhet të zbatohen. Osmani ka theksuar se Marrëveshja për Asociacionin është në kundërshtim me Kushtetutën

Zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut me Serbinë, e ka kërkuar presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili të hënën ka zhvilluar një vizitë në Kosovë. Sipas tij, përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, edhe marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duhet të zbatohet.

Këto komente Pahori i ka bërë në një konferencë për media, të cilën e ka mbajtur bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit që e kanë zhvilluar paraditen e së hënës.

Sipas presidentit slloven zbatimi i marrëveshjeve është e vetmja mënyrë që dialogu të ecë përpara e njëkohësisht edhe rruga e të dy vendeve drejt BE-së.

“Kushti i parë është që të respektohen marrëveshjet. Ne e kuptojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por për palën e tretë që nuk është nënshkruese e kësaj marrëveshjeje… Derisa të mos merreni vesh ndryshe, kjo marrëveshje duhet respektuar. Është e sigurt se gjithmonë duhet t’i kthehemi dialogut”, ka theksuar Pahor.

Sipas tij, çështjet më të rëndësishme mund të zgjidhen me dialog, por kushti i parë është të respektohen marrëveshjet e arritura.

Por, mendim ndryshe nga ai, ka homologia e tij Osmani. Ajo ka thënë se është Serbia ajo që nuk ka implementuar dy të tretat e marrëveshjeve.

“Është koha të flasim për palën që nuk implementon marrëveshjet, e ajo është Serbia. Nuk ka implementuar 2/3 e marrëveshjeve të arritura. Kosova ka implementuar 90 për qind të marrëveshjeve. Një që nuk e ka implementuar është Asociacioni. Kushtetuesja e ka thënë të qartë se nuk është në përputhje me Kushtetutën. Është shkelje e Kushtetutës që Asociacioni të ketë të drejta ekzekutive”, është shprehur Osmani.

Sipas saj, njohja reciproke duhet të jetë në qendër të vëmendjes.

“Fqinji ynë nuk e dëshiron një paqe në Ballkanin Perëndimor. Për këtë shpresoj që BE-ja të jetë e qartë me Serbinë. Serbia po vazhdon përmes strukturave ilegale në veri të destabilizojë Kosovën. Ndikimi rus paraqet një tjetër kërcënim për destabilizim të rajonit. Për t’u luftuar këto tendenca destabilizuese, kemi nevojë për përkrahje të miqve tanë, kemi nevojë për përkrahje të Sllovenisë”, është shprehur Osmani.

Ajo ka folur edhe për iniciativën për “Ballkanin e Hapur”, duke e quajtur atë hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe.

“Ne natyrisht se kemi mendim ndryshe për këtë çështje. Kemi pasur rastin të diskutojmë për këtë sot me respekt të ndërsjellë. Për ne Ballkani i Hapur është hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe. Në këtë moment që Serbia po tenton të luaj rolin kryesor në këtë iniciativë, nuk ka qëllime të mira në raport me rajonin tonë. Do të ishte ndryshe sikur Serbia të ishte shtet që ka synim paqen e stabilitetin dhe po ta kishte njohur Kosovën”, ka deklaruar Osmani.

Sipas saj, Serbia synon që Kosova të hyjë në iniciativa të tilla si provincë e saj.

“Realiteti është krejt ndryshe, pasi Kosova është shtet i pavarur e sovran, natyrisht se iniciativa të tilla nuk u shërben interesave të vendit tonë, por as të rajonit”, është shprehur Osmani.

Për “Ballkanin e Hapur”, Pahori ka thënë se i është dukur si iniciativë që mund të zgjidhë problemet mes Kosovës dhe Serbisë, por se tash e sheh që ka shumë kundërshti.

“Më është dukur se është iniciativë shumë e sinqertë, por sot në bisedë me presidenten Osmani kam parë se ka shumë kundërshtime. Kjo iniciativë më është dukur se është mënyrë elegante për zgjidhjen e mëtutjeshme të raporteve Serbi-Kosovë ”, ka deklaruar Pahori, derisa ka shtuar se “Ballkani i Hapur” nuk është alternativë e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në konferencë, të dy presidentët kanë folur edhe për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën. Pahori ka thënë se BE-ja duhet t’i liberalizojë vizat për kosovarët e Osmani i ka kërkuar atij përkrahje për t’i bindur shtetet hezituese në këtë aspekt.

Gjatë vizitës në Kosovë, Pahori ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurti. Në një njoftim për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, thuhet se gjatë takimit është theksuar përkushtimi i dyanshëm për thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe forcim të partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Kurti thuhet se e ka falënderuar presidentin Pahor për përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë për Kosovën.

“Sllovenia është partneri ynë i çmuar, pasi ndajmë të njëjtin interes për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, tha kryeministri Kurti, duke u shprehur mirënjohës për kontributin e Sllovenisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Ai tha se pret me padurim avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në mbrojtje dhe siguri”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kryeministri Kurti, pohohet të ketë theksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe punën e Qeverisë në këtë drejtim. Ai ka kërkuar përkrahje nga Sllovenia për anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare.

Teksa foli për menaxhimin dhe situatën aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti, citohet të ketë thënë se gjatë muajit nëntor ka pasur raste njëshifrore të vdekjeve të të prekurve me COVID 19 dhe se deri tani janë administruar 1 milion e 612 mijë vaksina.

“Me dy doza janë vaksinuar 57 për qind e të rriturve të moshës mbi 16 vjeç, ndërsa me një dozë rreth 65 për qind”, citohet Kurti.

Sipas njoftimit, gjatë takimit presidenti Pahor e ka përgëzuar kryeministrin për qasjen e re në qeverisje.

“Ai u interesua të dijë më shumë rreth ecurisë së bisedimeve me Serbinë dhe tha se Sllovenia është e interesuar të shohë progres”, pohohet të ketë thënë Pahor.

Pahori gjatë qëndrimit në Kosovë ka vizituar edhe kontingjentin e Ushtrisë Sllovene që vepron në kuadër të KFOR-it.

Para se të vine në Kosovë, Pahori të dielën ka qëndruar në Beograd ku ka zhvilluar takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Edhe në Beograd, ai ka thënë se dialogu duhet vazhduar.