Video

Dështon zgjedhja e bordit të RTK-së

Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë anëtarët e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e quajti bojkot të qëllimshëm mospjesëmarrjen e PDK-së dhe AAK-së në zgjedhjen e Bordit. Në seancën e së premtes, është zgjedhur zëvendësdrejtori i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit derisa kanë dështuar të shqyrtohen disa projektligje në mungesë të ministrave

Vetëm një nga gjashtë pikat e rendit të ditës arriti të shqyrtohej të premten në seancën e Kuvendit të Kosovës. Në mungesë të ministrave të cilët po marrin pjesë në mbledhjen e përbashkët të Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, një raport dhe tri projektligje që ishin në rend të ditës nuk arritën të shqyrtoheshin në këtë mbledhje.

Pikat e vetme që mbetën për trajtim ishin zgjedhja e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Këtë të fundit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca propozoi që ta trajtonin të parën, por nuk mori mbështetje nga grupet parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kësisoj, si pikë e parë u shqyrtua ajo për Autoritetin e Rregullatorit, me ç’rast, me 65 vota deputetët zgjodhën Abedin Azizin zëvendësdrejtor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Në fillim të shqyrtimit të pikës për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së, kryetari i komisionit Ad-Hoc, Armend Zemaj, e cilësoi si transparent e të ligjshëm procesin për propozimin e 18 emrave për anëtarë të Bordit.

“Ju kisha lutur deputetë dhe grupe parlamentare pozitë dhe pushtet, meqë puna ka shkuar në aspektin profesional, të bashkëpunimit të mirëfilltë, të përzgjedhjes korrekte, të dëshmohet kështu edhe në seancë plenare, pra të zgjidhen ata që mendojmë se e meritojnë”, ka thënë Zemaj.

Por, kur erdhi radha e votimit për zgjedhjen e anëtarëve, Kuvendi nuk pati kuorum, meqë në sallë nuk qëndruan deputetët e PDK-së dhe AAK-së. Kryeparlamentari Konjufca, disa herë e quajti si të qëllimshme mospjesëmarrjen e deputetëve në seancë.

“Unë konstatoj që ky bojkot i një pjese të deputetëve është i qëllimshëm, nuk ka kushte për t’u votuar bordi i RTK-së, prandaj mendoj që duhet ta shtyjmë për një mbledhje tjetër”, ka thënë ai.

Për bordin e RTK-së prej 9 anëtarëve, nga Komisioni janë propozuar 18 emra, 8 nga ta meshkuj shqiptarë, 8 femra shqiptare, një mashkull i komuniteti serb si dhe një femër nga komuniteti serb. Emrat e propozuar janë; Driton Hetemi, Besnik Boletini, Ejup Gojnovci, Safet Kabashaj, Bekim Sele, Petrit Çollaku, Enis Halimi, Gazmend Vitaku, Fatime Lumi-Qehaja, Arta Berisha, Albulena Mehmeti, Jehona Ademaj-Sejdiu, Shukrije Rama, Mejreme Krasniqi-Sadiku, Mihane Nartilë Salihu-Bala, Teuta Hoxha Morina, Mihailo Sçepanoviq dhe Nelica Velikoviq.

Mandati i anëtarëve të bordit bëhet me short. Katër anëtarë do të emërohen me mandat dyvjeçar, dy anëtarë me mandat trevjeçar, dhe tre anëtarë me mandat katërvjeçar.