Video

Pacientëve nuk u ofrohen shërbime, Sindikata ultimatum Qeverisë

Me grevë ka filluar e enjtja për mantelbardhët e Kosovës, të cilët po e kërkojnë miratimin e Ligjit për paga. Qytetarët prej orës 7 të mëngjesit e deri në 15:00 nuk kanë mundur t’i marrin shërbimet shëndetësore. Ndërkaq, një javë kohë i është dhënë Qeverisë së Kosovës që ta thërrasë në takim Federatën Sindikale të Shëndetësisë (FSSHK), ose në të kundërtën, sipas tyre, sërish do të vazhdojnë me grevë

Që prej orëve të hershme të mëngjesit të ditës së enjte, Qamil Hyseni, kishte pritur për kontrollimin e këmbës, para objektit të ambulancave specialistike. Ai kishte ardhur nga qyteti i Vushtrrisë, vetëm për t’i marrë shërbimet e nevojshme mjekësore, por të njëjtit nuk iu ofrua një gjë e tillë, për shkak se mjekët ishin në grevë. Sipas tij, kjo grevë është e papranueshme dhe vetëm po i maltreton pacientët.

“Kom pas një termin sot ta bëj një vizitë për këmbë, kur erdha kjo qenka mbyllur, qenka grevë. Mirë jo, asnjë fije mirë jo”, u shpreh Hyseni.

Njëjtë si Hysenit u ndodhi edhe pacientëve të tjerë, që thanë se kjo grevë po i dëmton ata fizikisht e materialisht. Shukri Zeqiri, i cili kishte udhëtuar nga Podujeva për të marrë shërbime shëndetësore për nënën e tij, tregoi se u detyrua që shërbimet t’i marrë në një laborator privat, e që sipas tij çmimi aty ishte shumë i lartë për të.

“U ndala te treshi, thash t’i bëj disa analiza pa para, më thanë që ka grevë. M’u dashtë të shkoj tek një laborator privat, aty 60 euro mi morën, thuajse aty e lashë të gjithë pensionin tim”, tha ai.

Pakënaqësitë e tij për gjendjen e krijuar i shprehu edhe Musli Kllokoqi, i cili tha se jeta po bëhet më e vështirë për ta, e sidomos për personat e shtyrë në moshë.

“Vallahi na marum, për neve mos vetë, ma keq nuk ka qenë kurrë, edhe s’po mujna edhe krejt të zezat na kanë gjetë”.

Një qytetar tjetër, ishte i mendimit se punëtorët shëndetësorë duhet të paguhen më shumë, por në të njëjtën kohë sipas tij greva është e paarsyeshme.
“Të drejtë kanë me kërku paga, por jo të dalin në grevë”, u shpreh Sabri Gjymshiti nga Prishtina.

Por kishte edhe nga ata qytetarë që mendonin ndryshe. Qerim Demaku, edhe pse e gjeti ambulancën të mbyllur, nuk ua la fajin mjekëve. Sipas tij, kjo grevë është e arsyeshme dhe se fajin për këtë gjendje e ka Qeveria e Kosovës.

“Ata kanë të drejtë, Qeveria ka faj, se jo këta, as unë jo. Duhet Qeveria t’i zgjidhë ato probleme, që një javë sindikata ka lajmëruar që do të dalim në grevë, këta kanë fjet, çka kem me ba tash”, foli i indinjuar Demaku.

Fajin kryeministrit Albin Kurti, ia la edhe një qytetar tjetër. Sipas tij, kryeministri e ka lënë pas dore sektorin e shëndetësisë.

“I bëj thirrje kryeministrit të shikojë nga shëndetësia se mjekësinë e ka lënë pas dore, nuk është mirë që mjekësia të jetë në grevë sherri i kryeministrit”, ka thënë një qytetar tjetër.

Ndërkaq, një javë ultimatum i është dhënë Qeverisë së Kosovës ta thërrasë në takim Federatën Sindikale të Shëndetësisë (FSSHK). Në të kundërtën, sipas tyre, sërish do të vazhdojnë me grevë.

“Neve edhe një herë po i dërgojmë një mesazh kryeministrit Kurti, që sot nga ora 15 le të fillojë të mendojë prapë. Ne jemi këtu, në çdo moment që të na ftojë të diskutojmë për Ligjin e pagave. Nuk është e mirë që sot kur po mbajmë greva këta pikërisht e diskutojnë projekt buxhetin për vitin 2022 dhe në atë projekt buxhet nuk e kemi të parashikuar Ligjin e pagave”, kështu tha kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Blerim Syla, i cili në konferencën për media ka treguar se greva e stafit shëndetësor këtë të enjte ka shkuar pa ndonjë incident.

Në mbështetje FSSHK-së i doli edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, i cili kërkoi dialog me qeverinë për ta zgjidhur problemin.

“Ligji i pagave është shumë i rëndësishëm sidomos për neve si sindikata, sepse e rregullon pagën e punëtorëve e që për këtë arsye jemi këtu. Po besoj që qeveria shpejt ka me thirrë dhe do të ulemi, do të bisedojmë dhe do të ecim përpara”, tha Hykolli.

Greva, e cila të enjten ka zgjatur tetë orë, sipas FSSHK-së, do të vazhdojë javën e ardhshme.