Video

BE-ja përsërit thirrjen për shmangien e veprimeve të njëanshme

Në ditën kur Kolegji i Komisionerëve prezantoi raportin për Kosovën, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë përsëritur thirrjen për shmangien e veprimeve të njëanshme.

Ky cilësim i ishte dhënë aksionit të Policisë së Kosovës në veriun e populluar me shumicë serbe, që për cak kishte arrestimin e kontrabanduesve.

“Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës mbetet thelbësor për të ardhmen e tyre evropiane dhe për stabilitetin e gjithë rajonit. Të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt objektivit për finalizimin e një marrëveshjeje për normalizim gjithëpërfshirës dhe ligjërisht të detyrueshme. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin duhet të shmangen. Po ashtu, progresi i Serbisë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është determinues në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.

Sipas tij, ngjarjet e fundit kanë treguar se sa të thella janë ndarjet dhe sa punë duhet për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Komisioneri për zgjerim ka përmendur edhe fushat në të cilat Kosova duhet të shënojë përparim.

“Kosova mbajti zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që rezultuan me formimin e një qeverie që ka shumicë parlamentare. Kjo është mundësi e mirë për të shënuar përparim në luftimin e krimit dhe në fuqizimin e sundimit të rendit e ligjit. Po ashtu, duhet angazhim në zhvillim ekonomik. Duam të lëvizim përpara me të gjithë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor sa më shpejt. Ka sfida që duhet adresuar, për këtë kemi ndarë edhe ndihmë financiare ekonomike për t’i zbutur hapësirat mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Sipas Raportit të publikuar të martën, Kosova ka shënuar progres të kufizuar në shumë fusha e ku gjyqësori vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Varhelyi ka përsëritur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, por nuk ka treguar nëse vendimmarrja e BE-së do të vihet shpejt në lëvizje.