Video

Qeveria vendos masa mbrojtëse ndaj dy produkteve që vijnë nga Serbia

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë vendim për masa anti-damping ndaj koncentratit për kafshë dhe shpezë, si dhe blloqeve me origjinë nga Serbia. Ministrja Rozeta Hajdari në një konferencë për media, ka thënë se vendimet vijnë si rezultat i dëmtimit të prodhuesve vendorë

 

Pas hetimit 60 ditor ndaj disa produkteve nga Serbia, Qeveria e Kosovës ka vendosur masa anti-damping ndaj dy llojeve të tyre. Dampingu nënkupton importin e mallrave në Kosovë me një çmim më të ulët sesa në tregun e vendit eksportues, në këtë rast në Serbi, gjë e cila vlerësohet e dëmshme.

Sipas vendimeve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) bëhet fjalë për masën mbrojtëse nga 0.03 centë për kilogram në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve dhe për 0.03 centë për blloqet standarde me origjinë nga Serbia.

Në një konferencë për media, ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se hetimet janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.

“Departamenti i Tregtisë ka gjetur se çmimi i ulët ka ndikuar në rritjen e importit të blloqeve dhe se po ndikon në shtimin e importit të koncentratit, rrjedhimisht ka vërejtur se kjo situatë e dampingut dëmton drejtpërdrejt në vazhdimësi dhe çdo herë më shumë prodhuesit vendorë të këtyre produkteve”, ka thënë Hajdari.

Masa për koncentratin është caktuar ndaj katër kompanive serbe, kurse ajo për blloqet ndaj një kompanie. Këto masa i mirëpret ekonomisti Safet Gërxhaliu, por thotë se ato është dashur të ndërmerren shumë më herët.

“Besoj që është një vendim i qëlluar, i vonuar por një shpresë e re për sektorin privat që mund të bëhet afarizëm dhe mund të forcohet prodhimi në Kosovë, sepse nuk jetohet vetëm nga eksportimi i parasë së gatshme duke pasur import katër miliardë dhe eksport vetëm 480 milionë euro si shtet i pavarur”, vlerëson Gërxhaliu.

Brengosëse për Gërxhaliun është heshtja që thotë se Komiteti i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), kanë mbajtur ndaj disbalancit në çmimet e produkteve.

CEFTA-s, sipas ministres Hajdari i është bërë e ditur se është e papranueshme që Kosova të mos përfaqësohet nga autoritetet e saj, por me ndërmjetësimin e UNMIK-ut.

“Më 30 shtator përmes sekretariatit të CEFTA-s u kemi bërë të qartë shteteve anëtare se do të kundërshtojmë punën e mëtejme të organeve të CEFTA-s pa u adresuar kërkesa jonë për përfaqësim të duhur dhe pjesëmarrje e trajtim të barabartë”.

Më parë ka pasur masa mbrojtëse ndaj blloqeve standard në lartësi prej 2 centësh, por kjo masë ka skaduar ligjërisht në korrik të këtij viti.