Video

Në pritje të zbatimit të letër-ngjitëseve, Serbia nuk lejon qarkullimin drejt Kosovës

Asnjë automjet nuk është lejuar të futet nga Serbia në drejtim të Kosovës, një ditë pas largimit të bllokadave nga pika kufitare në Jarinjë.

Doganierët dhe policët kufitarë kanë qenë prezentë në pikën kufitare.

Ata siguroheshin nga policë të Kosovës, ku dy patrulla ishin statike e të tjera lëviznin përreth pikës kufitare.

E shkurtër ishte edhe procedura e verifikimit të kalimtarëve në Jarinjë.

Gjatë kohës sa ekipi i Kohës qëndroi atje, kufirin drejt Serbisë e kaluan edhe vetura me targa RKS. Por ngasësve iu kërkua që t’i largojnë tabelat, sipas rregullit që deri tani ka zbatuar Serbia për qytetarët e Kosovës.

Edhe policët kufitarë kanë qenë të furnizuar me letra prova, por nuk i kanë vënë në përdorin për shkak të mungesës së lëvizjeve nga ana e Serbisë.

Pati edhe qytetarë të Bashkimit Evropian të cilët e shfrytëzuan këtë pikë për të shkuar drejt vendeve ku jetojnë.

Në mungesë të transportit ka vazhduar kalimi i qytetarëve në këmbë. Ata kanë refuzuar të deklarohen për media.

Në mesditë edhe një grup i sportistëve u sollën me kombibus deri afër pikës së kufirit.

Ata ishin futbollistë të grupmoshave të reja nga klubi i Leposaviqit, “Kosmet”.

Aktivë kanë qenë edhe taksitë e shumta që sillnin udhëtarët deri në pikën kufitare.

Në anën tjetër, kolona e kamionëve dhe e mjeteve të tjera nga ana e Serbisë ka qenë e gjatë, deri pranë pikës së kufirit nga ana e Kosovës.

Sipas policëve kufitarë, në orët e hershme të mëngjesit një autobus nga Suedia me udhëtarë kosovarë nuk është lejuar të hynte nga Serbia.

Pati të atilla që deri në kufi erdhën me tabela të mbuluara, të cilat i larguan sapo u futën në territorin e Serbisë.

Lëshimi i këtyre tabelave, si masë reciproke e Qeverisë së Kosovës, nxiti protesta të serbëve të cilët për 12 ditë bllokuan rrugët që çojnë në Jarinjë e Bërnjak.

Gjurmë të protestës kanë mbetur ende.

Përveç mbetjeve ushqimore e druve të vendosura skaj rrugës, mbi çatinë e një objekti vazhdonte të qëndronte flamuri i Serbisë.

Në vendin e protestës, rreth një kilometër në brendësi të Kosovës qëndrojnë dy patrulla të KFOR-it.

Njësitë e kësaj force të dielën janë vizituar nga komandanti Franco Federici.

Federici ka thënë se KFOR-i është i gatshëm të kryejë detyrën e rëndësishme në mbështetje të stabilitetit lokal e rajonal.

“Njësitë e KFOR-it janë plotësisht të gatshme për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në mbështetje të stabilitetit lokal e rajonal. Në ditët e fundit kemi zhvilluar bisedime me të gjitha palët e përfshira dhe kemi ofruar përditësime të rregullta te përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd, Miroslav Lajçak, dhe te zinxhiri im komandues në NATO. Falënderoj institucionet e Kosovës, kryetarët e komunave veriore dhe gjithë akterët që me angazhimin e tyre kontribuuan në deeskalimin e situatës”, ka thënë Federici.

Në dy javët e ardhshme, njësitë e KFOR-it do të qëndrojnë përkohësisht në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, si pjesë e marrëveshjes për targat të arritur të enjten në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.

Nga e hëna nis zbatimi i pikës së dytë të marrëveshjes, sipas së cilës do të bëhet mbulimi i simboleve shtetërore me letër-ngjitëse.