Video

Leyen: Dialog konstruktiv për shtensionimin e situatës në veri

Porosi për situatën në veri, duke iu referuar si çështje përreth kufirit, ka dhënë në Prishtinë përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, organizatë kjo që është neutrale karshi statusit të Kosovës.

Por, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa ka treguar mësimet e BE-së në kapërcimin e mosmarrëveshjeve, ka thënë se Kosova e Serbia duhet që nëpërmjet dialogut t’u japin fund tensioneve në veri të vendit.

“Ndërsa ne po flasim këtu, negociatorët janë në Bruksel duke i negociuar këto çështje dhe shpresoj të kenë mandat të qëndrueshëm për të negociuar, sepse kjo është mënyra më e mirë për të ecur tutje. Jam thellësisht e bindur që është me rëndësi të shtensionohet situata, e të vazhdohet me dialog konstruktiv. Kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të pranojë një marrëveshje reciproke dhe gjithëpërfshirëse. Kjo duhet të shoqërohet me vazhdim të dialogut në BE, sepse ai nuk është vetëm çështje e tabelave. Dialogu është shumë më shumë, pra se sa rajoni do të jetë i gatshëm të lëvizë përpara drejt vlerave evropiane”, tha Von der Leyen.

Ndërkaq, kryeministri Kurti ka përmendur armatimin serb përreth brezit kufitar, duke thënë se fqiu verior merr donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër militarizohet nga Rusia e Kina.

I pyetur nga KOHA për zgjidhjet e diskutuara në funksion të zhbllokimit të situatës në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, Kurti ka konfirmuar propozimin e Komandantit të KFOR-it, Franco Federici.

“Gatishmërinë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi tek unë komandanti i përgjithshëm i KFOR-it dhe i cili pak a shumë dha një propozim që ishte racional, e që nënkuptonte heqjen e barrikadave për liri të lëvizjes dhe zëvendësimin e Njësive Speciale deri në qetësim të situatës nga pjesëtarët e KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak e Jarinjë dhe reciprociteti i targave do të vazhdonte. Në parim e kemi pranuar këtë. Sa i përket orareve të tërheqjeve e realizimit teknik e logjistik të dakordimit të tillë kemi mbetur të dakordohemi edhe me Policinë e Kosovës”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, Serbia e ka refuzuar marrëveshjen sikurse edhe takimin e thirrur javën e shkuar në Bruksel nga ndërmjetësi Lajçak.

Konferencës ndërmjet Von der Leyen dhe Kurtit i ka paraprirë një vizitë e përbashkët në ambientet e çerdhes “Cicërimat”, e cila është ndërtuar me para të Bashkimit Evropian. Zyrtarja e lartë evropiane ka premtuar edhe investime tjera, por që, sipas saj, për këtë duhet sundim i rendit dhe ligjit.

Presidentja e Komisionit Evropian është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Sipas komunikatës së Presidencës, përveç diskutimeve për situatën në veri, Osmani ka kërkuar vendimmarrje nga BE-ja sa i përket heqjes së vizave për Kosovën.

“Presidentja Osmani, në takim me presidenten e KE-së, ka ritheksuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar që BE-ja t`i mbajë premtimet ndaj Kosovës dhe që shtetet anëtare të BE-së ta respektojnë rekomandimin e Komisionit Evropian”, thuhet nga Presidenca.

Pas vizitës njëditore në Kosovë, presidentja e Komisionit do të shkojë në Serbi, derisa më herët vizitoi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.