Video

Bislimi thotë se vendimi për targat s’ka të bëjë me Marrëveshjen e Brukselit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë që masa e reciprocitetit për targa nuk është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Derisa opozita po vazhdon insistimin se vendimi i tillë lidhet me fushatën zgjedhore, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se përshkallëzimi i situatës në veri i konvenon vetëm Serbisë.

Vendimi mbi reciprocitetin për targa nuk është derivat i marrëveshjes së Brukselit.

E sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ky është një lloj manipulimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vendimi për targat nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit, pasi ajo marrëveshje ka skaduar me 15 shtator. Vendimi për reciprocitet ishte vendim sovran i Kosovës. Është gabim dhe konfirmim i asaj që po mundohet të manipulojë edhe Vuçiqi se ky vendim ka të bëjë me marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë ai të premten.

Derisa opozita insiston se vendimi për reciprocitet është për efekt të zgjedhjeve të 17 tetorit.

“Kjo Qeveri e ka promovuar çështjen e reciprocitet. Nëse do të duhej të vendosej nuk është dashur të përdoret kjo periudha e fushatës zgjedhore, kur po mbahen zgjedhjet komunale ose në fazën që tash është raundi tjetër i bisedimeve por të ishte vendosur në një periudhë më të përshtatshme, sepse para disa kohësh e ka hequr reciprocitetin për tjegullat ku ka lejuar Serbinë që të ekspertojë më të cilën gjë i dëmton bizneset dhe unë po shpresoj që kjo nuk është çështje e fushatës zgjedhore, por ka vendosur që ta vendosë”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Kadrijaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të situatës meqë, sipas saj, po bëhen lëvizje të Serbisë në drejtim të kufijve të Kosovës.

Ndërkaq sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, çdo përshkallëzim i situatës në veri të Kosovës do të mund të përdorej nga Serbia për çështje të tjera.

“Aty edhe është qëllimi i serbëve. Që të vjen deri tek një përballje, provokim incidenti dhe mandej ajo të shfrytëzohet për qëllime të tyre, që kinse të ndërhyjë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë që reciprociteti të tërhiqet”, ka deklaruar ai.

Të hënën Ministria e Punëve të Brendshme mori vendim për zbatimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve serbe që hyjnë në Kosovë.

Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak tash e pesë ditë mbeten të bllokuara nga protestues serbë të veriut të Kosovës.