Video

Mustafa e krahason Prokurorinë e Specializuar me zyrën e Gestapos

I veshur në tuta, me qëndrim shpërfillës ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është paraqitur para Gjykatës Speciale në atë që konsiderohet si seancë historike për gjykimin e krimeve të luftës, që supozohet që kanë ndodhur nga individë që i takonin majës se hierarkisë së kësaj ushtrie.

I shkurtër ka qenë Mustafa në seancën e parë zyrtare të këtij gjykimi.

Është deklaruar i pafajshëm, e Zyrën e Prokurorisë së Specializuar e ka krahasuar me shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

“Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, tha Mustafa.

Siç pritej, seanca ka nisur me fjalën hyrëse të Prokurorisë. Dy zyrtarë të këtij institucioni kanë prezantuar rreth një orë për krimet që pretendojnë se ka kryer ish-shefi i BIA-s, Mustafa.

Por gjatë kësaj kohe nuk kanë dhënë informacione të detajuara, nga ato çka nuk janë paraqitur deri tani.

Kryeprokurori Jack Smith nuk është futur në detaje për provat që posedojnë për këtë proces, por ka përsëritur disa herë se “viktimat e Mustafës janë kosovarë”.


“Do të thirren disa viktima në këtë çështje gjyqësore, ndërsa në çështje të tjera do të thërrasim viktima të etnive të ndryshme, shqiptare, serb, rom. Në këtë çështje do të shihni se viktimat e zotit Mustafa ishin të gjithë shqiptar të Kosovës si ai vet. Këta njerëz nuk ishin armiq të shtetit të Kosovës, nuk ishin spiunë, ishin të njëjtës bashkësi, shqiptar të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i tyre ishte se shiheshin si pengesë e UÇK-së”, tha Smith.

Pjesa e dytë e fjalës hyrëse është vazhduar nga prokurori Cezar Michalzuk.

Ai ka prezantuar disa foto nga fshati Zllash, ku kjo prokurori pretendon që ka pasur qendër keqtrajtimi. Fotot e vitit 2006 paraqesin tri objekte të vjetra, që ngjajnë në stalla të kafshëve, e që dy prej tyre tashmë janë shkatërruar.

“Kur viktimat u liruan nga Zllashi më 19 prill 1999, ky i burgosur dhe një tjetër nuk u lejuan të largoheshin. Asnjë prej tyre nuk u pa më kurrë gjallë. Pak kohë më vonë, pas një kërkimi intensiv dhe të dhimbshëm nga familjarët, trupi i viktimës u gjet në një varr të cekët”, tha Michalzuk.

Ai ka aluduar se një pjesë e viktimave ishin burgosur nga Mustafa dhe vartësit e tij veç pse e përkrahnin LDK-në.

Në aktakuzë specifikohet që nga 9 persona, për të cilët ngarkohet ai për torturë, një nga ta ka vdekur.

“Gjatë marrjes në pyetje janë akuzuar se ishin spiunë, kolaberacionistë me serbët ose hajdutë. Realiteti është se askush nga këta burra nuk përbënte kërcënim ushtarak për UCK-në, disa po përpiqeshin të nxirrnin jetesën duke shitur mallra përmes tregjeve ditore, disa ishin civilëve, faji i të cilëve ishte se i takonin një partie tjetër politike, LDK-së që perceptohej si parti kundërshtare politike”, tha Michalzuk.

Në seancën pasuese, fjalën hyrëse kanë pasur ta prezantojnë nga Zyra e Mbrojtjes së Viktimave. Por Mustafa nuk ka pranuar fare të qëndrojë gjatë kësaj seance. Kjo ka shkaktuar polemika, por në fund është vendosur të dëgjohen përfaqësuesit e këtij institucioni pa praninë e të akuzuarve.

Anne Pausie nga ky institucion ka thënë se Kosova duhet të flasë për disa të vërteta që ajo i ka cilësuar si “të parehatshme”.

“Viktimat kanë qenë të heshtura dhe i kanë detyruar të heshtin gjatë gjithë këtyre viteve. Jetojnë në një vend ku në shumë vende UÇK kremtohet si hero dhe trysnia është e lartë për të mos bërë pyetje që do të prishnin imazhin e ndritur të heronjve. Ky gjyq mund të jep mundësi për të filluar pak a pak një bashkëbisedim dhe të kuptohet plotësisht ajo që ka ndodhur gjatë luftës. Është një shans i rëndësishëm edhe për brezat e ardhshëm në Kosovë dhe përtej saj për të pas një ide më të plotë të historisë së tyre, për të mësuar dhe kuptuar”, tha Pausie.

Salih Mustafa është i akuzuari i parë i kësaj gjykate. Ai ka zgjedhur që fjalën hyrëse ta bëjë pas fazës së paraqitjes së provave nga Prokuroria e Zyra e Viktimave. Mustafa është duke qëndruar në paraburgim në Hagë që nga viti i kaluar.