Video

Rreziku që fëmijët ta shpërndajnë virusin, MSH-ja propozon mbylljen e çerdheve

Jo vetëm shkollat do të jenë të mbyllura në dy javët e ardhshme, si masë parandaluese ndaj përhapjes së COVID 19.

Nga 13 shtatori, Ministria e Shëndetësisë e ka rekomanduar edhe mbylljen e çerdheve e një gjë të tillë e ka bërë në takimin e mbajtur të premten mes ministrit Vitia e Asociacionit të komunave.

Përveç këtij ndryshimi, sipas komunikatës së AKK-së, ka fare pak dallim në masat e tjera të propozuara, nga ato të cilat aktualisht janë në fuqi.

Përkundër se këtë javë ka pasur rënie të rasteve pozitive me COVID 19, numri i vdekjeve vazhdon të jetë i lartë. Në 24-orëshin e fundit janë shënuar 30 vdekje e 685 raste pozitive.

24 fëmijë deri në moshën 9 vjeç, e 44 nga 10-19 vjeç, kanë rezultuar pozitivë 24-orëshin e fundit.

KOHA e ka pyetur Ministrinë e Arsimit të enjten në lidhje me atë se sa çerdhe janë mbyllur si pasojë e rasteve pozitive te fëmijët, por ata kanë thënë që këto të dhëna duhet të kërkohen në të tjera institucione, ani pse është situatë e emergjencës së shëndetit publik.

“Sa u përket rasteve të infektimit në çerdhe dhe kopshte: Siç e dini institucionet parashkollore janë në menaxhim të komunave dhe ju raportojnë atyre në baza ditore prandaj, për të dhëna të sakta drejtojuni komunave”, ka deklaruar Edona Kutleshi-Maliqi, këshilltare për media në MASHTI.

Studime të shumta tregojnë që fëmijët janë shpërndarësit me të mëdhenj të virusit, krahasuar me moshat e tjera, për disa arsye.

Një studim i Agjencisë së Shëndetit Publik në Kanada i cituar nga prestigjiozja New York Times ka argumentuar në lidhje me këtë. Foshnjat dhe të fëmijët kanë më pak të ngjarë të sjellin koronavirusin në shtëpitë e tyre sesa adoleshentët, por sapo të infektohen, ata kanë më shumë gjasa të përhapin virusin te të tjerët në familjet e tyre, sipas një studimi të madh të ri nga Agjencia Kanadeze e Shëndetit Publik.

Në Klinikën e Pediatrisë deri tani, nga varianti Delta që është përhapur në Kosovë që prej muajit gusht, rreth 50 fëmijë janë hospitalizuar e që janë të prekur me COVID 19.

Masat e reja do të votohen në Qeveri, në mbledhjen e saj të radhës, e kryeministri Albin Kurti të premten ka folur për pandeminë. Në një video-adresim pasi Kosova ka arritur të bëjë administrimin e 1 milion vaksinave, përgjegjësinë për situatën me virus në mënyrë të tërthortë ia ka lënë Institutit të Shëndetit Publik.

“Sot mund të duket sikur mund të bënim më shumë gjatë muajve qershor dhe korrik, por gjendja atëherë ishte krejt ndryshe. Por të merrnim masa ekstreme të kufizimit kur numrat ishin tejet të ulët, do të ishte mbi e tej reagim. Edhe atëherë, edhe sot, ne kemi vepruar në përputhje me rekomandimet e IKSHPK-së dhe me situatën në terren ku numër i rasteve të reja ishte shumë i ulët deri në fillim të muajit gusht e madje gjatë tërë dhjetëditëshit të parë”, ka thënë ai.

Situata epidemiologjike në Kosovë është përkeqësuar që nga fundi i muajit korrik dhe fillimi i gushtit.

Më 30 gusht, Qeveria e Kosovës fuqizoi masat kundër pandemisë, duke përfshirë edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00.