Video

Thirrjes së institucioneve për vaksinim u bashkohen edhe qytetarët

Thirrjet për vaksinim janë shpeshtuar kohëve të fundit, për shkak të rrezikut nga varianti Delta, si dhe për shkak të hezitimit të një pjese të qytetarëve për t’u imunizuar.

Ka ditë që Ministria e Shëndetësisë dhe mjekë të ndryshëm të klinikave bëjnë thirrje për vaksinim, si arma e vetëm për ta mposhtur COVID-19. Thirrjeve u janë bashkuar edhe qytetarët që tashmë janë vaksinuar.

“Jam e vaksinuar, lus të gjithë popullatën që të vaksinohet, ashtu që të mos mbyllemi përsëri sikur vitin që kaloi, por të kemi shëndet”, ka thënë qytetarja Xhevrie Lutovi.

Kosova nuk është vendi i vetëm ku një pjesë e qytetarëve po hezitojnë të imunizohen. Vendet si Franca, Britania, Kanada e Australia e kanë bërë të obligueshme marrjen e vaksinave.

“Të premten i bëj dy javë që e kam marrë dozën e dytë. Unë kisha me u apelu të gjithëve mbi 18 vjet, siç po thotë edhe Ministria e Shëndetësisë, të shkojnë e ta marrin vaksinën, se asgjë nuk bëhet. Patjetër se tash po vjen vala e katërt dhe varianti Delta është shumë më i rrezikshëm. Kur e ke vaksinën mundet me t’ra, por nuk të lodhë”, ka shtuar qytetari Mevzad Jerliu.

KOHA i ka dërguar pyetje Ministrisë së Shëndetësisë nëse do të ndërmarrin masa për ata që pa ndonjë arsye të qëndrueshme nuk pranojnë të vaksinohen, por nga kjo ministri nuk janë përgjigjur.

Ndërkohë, në qendrat e vaksinimit në nivel vendi po vazhdohet të mos punohet gjatë ditëve të vikendit.

Nga ata që tashmë janë imunizuar me vaksinën antiCOVID, ka edhe të tillë që kanë vuajtur shumë me koronavirusin.

Adem Veseli, qytetar i Prishtinës, ka treguar për mundimet pas infektimit me koronavirus.

“Ata që s’e kanë kaluar, p.sh. që s’janë përballur me këtë, jo një, po me të thënë të drejtën pesë (vaksina) i kisha marrë në atë kohë kur kam qenë duke u përballur me pandeminë, se është sëmundje shumë e rëndë, vetëm ata që e kanë provuar e dinë se është vështirë e përballueshme, kështu që ma mirë me u vaksinu”, ka thënë Veseli.

Ditëve të fundit është shtuar edhe numri i të infektuarve.

Në 24 orët e fundit janë raportuar 25 raste me COVID-19. Këto raste pozitive kanë dalë nga kryerja e 2.102 testeve të dyshimta për Sars CoV-2.

Ndërkohë, në 24-orëshin e fundit është raportuar për vetëm një të shëruar, që dëshmon për rritjen e rasteve aktive në vend.

Aktualisht janë 161 raste aktive.