Video

Vendimi i presidentes Osmani kundër Dakës kualifikohet shkelje kushtetuese

Presidentja Vjosa Osmani, ka shkarkuar kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, e cila gjatë dhe pas zgjedhjeve ishte vënë në thumb të kritikave për anshmëri nga Lëvizja Vetëvendosje, listës së kandidatë për deputetë të së cilës parti i kishte prirë Osmani.

Mes arsyeve për shkarkim, Dakës i është përmendur pikërisht ky rol në zgjedhje.

“Kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së. Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, kështu duke pamundësuar balancën e nevojshme në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësuesve të partive politike në KQZ”, thuhet në vendimin e Presidencës.

Para vendimit, Osmani e ka ftuar në zyrë Dakën.

E pak kohë pas shkarkimit ia ka gjetur zëvendësuesin. Në krye të KQZ-së e ka emëruar Kreshnik Radoniqin, gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit.

Vendimi i presidentes është kualifikuar jokushtetues nga ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Ai ka përmendur katër argumente mbështetëse, i treti nga të cilët i referohet arsyetimit të presidentes për rolin e Dakës në zgjedhjet e fundit.

“Presidenti i Republikës nuk është organ apo institucion i faktit dhe nuk ka as mekanizma e as autoritet kushtetues për të gjykuar mbi dinamikat dhe ndodhitë brenda KQZ-së, e aq më pak të vlerësojë integritetin dhe punën e anëtarëve të KQZ, përfshirë të kryesuesit të tij. Presidenti nuk është organ ligjzbatues, por zbatues i Kushtetutës”, ka thënë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Organizata joqeveritare më aktive në vend, po kështu, i kanë reaguar presidentes për vendimin.

“Ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e 11 OJQ-ve.

Edhe opozita ka qenë e menjëhershme në reagim.

PDK-ja, në një konferencë shtypi, ka kërkuar reagimin ndërkombëtar.

Krahas kësaj partie, AAK-ja e ka kualifikuar vendimin e presidentes Osmani si sulm në institucione të pavarura dhe tentim për vendosjen e autokracisë.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e fundit, nuk ka dhënë një qëndrim në lidhje me vendimin e Osmanit. Në kohë zgjedhjesh, zyrtarë të lartë të kësaj partie ia kishin përmendur Dakës edhe përgjegjësinë penale.