Video

Kurti përsërit: Serbia duhet të paditet për gjenocid

Dita e Çlirimit i mblodhi liderët institucionalë edhe në Poklek të Drenasit, ku mbi 50 civilë ishin masakruar në prill të vitit 1999.

Kryeministri Kurti, që në kuadër të dialogut pritet ta takojë presidentin e Serbisë të mërkurën, ka paralajmëruar sërish se Kosova duhet ta padisë Serbinë për gjenocid.

“Serbia ende qeveriset nga persona që kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë, në kohën kur këto masakra janë urdhëruar e zbatuar. Sigurisht, ata sot nuk mund të vijnë më të na pushtojnë e të na vrasin, por ëndrrat e tyre jo vetëm nuk i mohojnë, por i proklamojnë vazhdimisht, me investimet e shfrenuara për armatim modern duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë e të tjera. Pse armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka kërkuar falje për krimet masive që ka bërë 22 vjet më parë. Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid. Vrasjet e civilëve, grave shtatzëna, të miturve, foshnjave, pleqve, përdhunimi i përdorur si armë lufte janë dokumentuar e po dokumentohen”.

Ndërsa, sipas kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, rreziku nga Serbia vazhdon të jetë i pranishëm.

“Rreziku dhe kanosja nga Serbia nuk kanë kaluar ende, kërcënimi sot është më i pranishëm se kurrë më parë që nga 12 qershori 1999, sepse për sa kohë që Serbia ka ende plane për t’u kthyer në Kosovë dhe ato nuk i fsheh aspak, ne duhet të jemi të gatshëm ta mbrojmë atdheun tonë me çdo kusht. Sa kohë Serbia na ka në Kushtetutën e saj dhe sa kohë na konsideron tokë e saj, asgjë nuk ka përfunduar me Serbinë. Prandaj, 12 qershorin duhet ta festojmë gjithnjë me krenari për atë që është arritur, por edhe me vigjilencë për atë që nuk ka përfunduar ende”

E presidentja Osmani e ka përmendur obligimin që kanë liderët ndaj viktimave, si dhe kontributin e NATO-s.

“22 vjet më parë kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, vizitoi Kosovën, na la me një thënie e cila rezonon aq shumë edhe tash pas më shumë se dy dekadash. Në pllakën që do ta shihni këtu në Poklek është vendosur citati i tij: Kushdo që mund të dyshojë në drejtësinë e intervenimit të NATO-s duhet të vijë këtu, në Poklek. Kthehemi këtu për ta ritheksuar këtë mesazh sepse nuk është vetëm detyrim politik e institucional, por mbi të gjitha është obligimi ynë moral ndaj të gjitha viktimave të luftës në Kosovë. Atë ditë ne fituam lirinë, u çliruam nga agresioni serb por edhe e sollëm paqen së bashku. Sot Kosova është e veshur me petkun e krenarisë për aleancën e fortë me NATO-n dhe shtetet që na dolën në krah dhe jemi jashtëzakonisht krenarë për këto aleanca”, ka thënë Osmani.

Para shkuarjes në Poklek, të tre liderët nderuan ushtarët e rënë të NATO-s, te Pllaka Përkujtimore në sheshin “Nënë Tereza”.