Video

Prokuroria kërkon që gjykimi i Mustafës të nisë në korrik, mbrojtja më vonë

Me shumë se dy dekada prej krimit, që Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon që është kryer në zonën e Llapit e me të cilën ngarkohet Salih Mustafa, do të inspektohet sërish vendi i ngjarjes.

Në seancën e parë përgatitore për kryetaren e trupit gjykues Mapi Feld-Folia, është propozuar që seancat e shqyrtimit gjyqësor të mos fillojnë para përfundimit të pushimeve vjetore.

Për herë te parë në seancë ka marrë pjesë përfaqësuesja e viktimave, Anni Pues. Ajo është pajtuar me idenë e përfaqësuesit të Prokurorisë së Specializuar që të vizitohet vendi i ngjarjes.


“Mendoj që është mirë të vizuelizohet se ku ndodhën ngjarjet, të shikohet a ishte ftoftë, sa ishte ngrohtë, sa errët ka qenë, si mund të jenë ndjerë personat që kanë qenë aty, sa të lënduar mund të kenë qenë nga trupi dhe shpirti. Do të thotë të gjitha ato që janë parashtruar në aktakuzë. Kjo është e rëndësishme për të përcaktuar përgjegjësinë dhe fajësinë”, tha Pues.

Inspektime në Kosovë, por në favor të Mustafës do të bëjë edhe avokati i tij, Julios Von Bone. Materiali i mbledhur nga tri vizitat inspektuese do t’i dorëzohet trupit gjykues para se të nisë shqyrtimi kryesor.

“Vizitia ime është javën tjetër, të mërkurën ndoshta do të qëndroj 8-9 ditë dhe pastaj mendojmë se do të dorëzojmë materiale për protokollim, në javën e dytë dhe të tretë të korrikut do të kemi një mision tjetër dhe udhëtimi i fundit është parashikuar për në fillim të gushtit. Mbase një gjë e tillë do të ndodhe pas datës 15 gusht, pra deri atëherë besoj se do të kemi përfunduar hetimet tona”, tha Von Bone.

Dëshmitarët, sipas përfaqësuesve të Prokurorisë, do të dëshmojnë me dyer të mbyllura për publikun.

Por me vonë, pasi iu bë e ditur nga gjykata që intervistimi i dëshmitarëve do të fillojë në shtator, nga ZPS kanë kërkuar që deklaratat hyrëse dhe dëshmitarët e Prokurorisë të fillojnë të gjitha në shtator, pasi që nuk do të këtë ndarje mes tyre.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Salih Mustafa, është personi i parë që është akuzuar e që do të gjykohet për akuzat për krime lufte para Gjykatës në Hagë.

Ai akuzohet për krime lufte të kryera në prillin e vitit 1999, në një qendër ndalimi të UÇK-së në Zllash, afër Prishtinës.