Video

Kuvendi i thotë “jo” faljes së gjobave për bizneset e ndëshkuara gjatë pandemisë

Falja e gjobave për bizneset që u ndëshkuan për mosrespektim të masave për mbrojtje nga COVID – 19, përplasi deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si iniciuese e kësaj interpelance, argumentonte me faktin se bizneset janë në gjendje të vështirë ekonomike.

“Nuk duhet harruar se bizneset janë në krizë të thellë. Mbi 1700 gjoba rreth 2 milionë euro, shumë biznese janë dënuar nga 2 e 3 herë. Nga ATK-ja se numri i aplikuesve për këtë masë është rreth 1000 biznese. Kërkojmë nga ju të votoni pro shlyerjes së gjobave të shqiptuara gjate pandemisë”, ka propozuar Besnik Tahiri nga AAK-ja.

Me këtë kërkesë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nuk u pajtua.

“Çështja tjetër është për gjobat e shqiptuara nga Inspektorati e nuk kanë të bëjnë me Ministrinë e Financave. Nuk është kompetencë e MF-së e as Qeverisë të falin këto gjoba. Çështja se a duhet të falen borxhet në ATK jap qëndrimin tim. E kuptoj se qeveritë e kaluara nuk e kanë pasur problem këtë, por për neve është i rëndësishëm ligji”, ka deklaruar Murati.

Kërkesa për falje të gjobave u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe LDK-ja, me të njëjtin argument, që bizneset janë në krizë.

“Mos të harrojmë që jemi në gjendje të jashtëzakonshme e të kuptojmë se tatimet dhe gjobat. Gjykata Kushtetuese ka shpallë antikushtetuese vendimet e qeverisë, jam i bindur se ka disa gjoba të shqiptuara atëherë me këto vendime”, ka thënë Bedri Hamza i PDK-së.

“Rrethanat e viteve 2020-2021, nuk janë normale. Këtij kolapsi ekonomik nuk i shpëtoi as Kosova. Qytetarët e bizneset janë dëmtuar, si rezultat është ulur dukshëm fuqia blerëse e bizneseve dhe qytetarëve. Shtetet tjera kanë injektuar ndihma ndaj bizneseve. Në këto rrethana mendoj që Qeveria duhet të falë gjobat për bizneset. Nuk kanë nevojë të rëndohen me shpenzime shtesë për gjoba”, ka thënë Besian Mustafa i LDK-së.

Kjo çështje nxiti edhe diskutim më të gjerë, ku pati akuza e kundër-akuza mes deputetëve të opozitës e ministrit Murati.

“Ajo çka mund të bëjmë është t’ua kthejmë qytetarëve paratë e tyre. Sot na duhet vullneti që kalon mbi çdo politike e çdo llogaritje. AAK-ja kërkon reflektimin e deputetëve që falja e dënimeve gjate pandemisë të bëhet me ligj”, është shprehur deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Z. Lekaj, po thoni se po vijmë këtu të ju tregojmë se si funksionon shteti, është e vërtetë. Kur keni qenë në qeveri, Haradinaj ka thënë po e shpenzoj rezervën duke thanë po e shpenzoj se mbushet vitin tjetër. Kjo është logjika e juaj”, ishte përgjigja e ministrit Murati.

Opozita përmendi edhe ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e energjisë elektrike për katër komunat veriore dhe kërkoi që lirimi nga pagesa e gjobave për bizneset të rregullohet me ligj. Mirëpo, kjo rezolutë e AAK-së, me gjithë mbështetjen edhe nga dy partitë e tjera opozitare, nuk kaloi për shkak të mungesës së numrave.