Video

Mbrojtja: ZPS-ja nuk arriti të provojë inkriminimin e ish-krerëve të UÇK-së

Për të pestën herë me radhë seanca statusore për katër ish-krerët e UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, është shoqëruar me debate mes mbrojtës e prokurorisë për kohën se kur duhet t’u dorëzohen të gjitha provat të akuzuarve.

Avokatët kanë adresuar kritika ndaj Prokurorisë duke thënë se po vonohet me nxjerrjen e materialeve hetimore dhe se po dorëzon dokumentet jo të plota.

Me herët prokuroria pati thënë se deri në shtator do të dorëzohej i gjithë materiali, ndërsa në seancën e së mërkurës prokurorja Claire Lawson ka thënë që edhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, kjo nuk nënkupton që gjykimi nuk mund të fillojë pas 3 muajsh.

“Parashtrimet e mëparshme, në konferencën e fundit, dhe në parashtrimet me shkrim, në shtator ishte data më e hershme e parashikuar për të dhënë materialin, që atëherë na është bërë e qartë se të gjitha burimet tona do të punojnë për të përfunduar nxjerrjen e materialeve. Jemi në fazën kritike të këtij procesi”, ka thënë Calire Lawson, prokurore e ZPS-së.

Megjithatë, mbrojtja e të akuzuarve e ka konsideruar joserioze që për kohën sa prokuroria nuk është gati në punën e tyre ish-krerët e UÇK-së të qëndrojnë në paraburgim.

Avokati i ish-presidentit Thaçi, Pierre Richard Prospe, ka pyetur se pse janë duke e mbajtur seancën paragjyqësore nëse prokuroria ende nuk është gati.

“Mendoj që e vetmja mënyrë për të përshkruar reagimin tim është që kam mbetur pa gojë. Prokuroria kërkon të kemi durim dhe se kanë shumë për të bërë, është një punë që ka përfshirë gjithë pjesëtarët e zyrës. Unë e kuptoj dhe duhet të jetë një përpjekje e bërë nga e gjithë zyra, sepse nuk kanë mandate tjetër përveç kësaj, nuk e di se çka tjetër mund të bëjnë këta. Pse jemi këtu nëse ata nuk janë gati, pse jemi këtu nëse hetimet janë akoma në vazhdim?, ka deklaruar Pierre Richard Prospe, avokat i Thaçit.
Lirimin e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit deri në fillim të procesit gjyqësor e ka kërkuar edhe mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Avokati Ben Emmerson ka thënë se nga provat e deritanishme nuk ka asgjë që tregon se Kadri Veseli ka kryer ndonjë krim.

“Asnjë skuadër, asnjë ekip mbrojtje i përgjegjshëm nuk do të ndërmerrte një hetim të tillë në 44 vende të ndryshme në gjithë Kosovën dhe Shqipërinë, ndërkohë që në dokumentacionin dhe shkresat që kemi deri tani nga prokuroria nuk kemi asnjë indicie për përfshirje ne klientëve tanë në krimet në fjalë”, ka pohuar Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit.

Deklaratat e Prosper dhe Emmerson janë mbështetur edhe nga mbrojtja e Krasniqit dhe Selimit, të cilët kanë kritikuar Prokurorinë se informacionet e dorëzuara te mbrojtja nuk janë të plota. Por Prokuroria ka deklaruar se mbrojtja nuk ka të drejtë të marrë informacione statistikore lidhur me provat që ka mbledhur Prokuroria.

Në fund të seancës gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhër që vendimet për mocionet paraprake të nxirren të premten më 16 korrik.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar. Ata janë pjesë e një aktakuze të përbashkët për krime lufte për periudhën 1998-99.