Video

Zgjedhjet në Shqipëri pa incidente që e cenojnë procesin

Qytetarët e Shqipërisë, që nga ora 7 e mëngjesit, u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Në garë kanë qenë 13 parti për 140 ulëse në Parlamentin shqiptar.

Pjesëmarrësja në zgjedhje në nivel vendi është raportuar me e lartë sesa në zgjedhjet e kaluara.

Procesi është zhvilluar i qetë, me përjashtim të disa incidenteve në disa qendra të votimit.

Në disa komuna ka pasur fotografim të votës, gjë që ka çuar edhe në përplasje mes liderëve të PS-së dhe PD-së, si dhe persona të paautoriuar kanë qëndruar para qendrave të votimit.

Ekipi i KOHËS ka qenë edhe në qytetin e Elbasanit, ku fushata atje kulmoi me vrasjen e një aktivisti të Partisë Socialiste.

Qendrat e lagjes “5 Maji”, ku ndodhi vrasja, janë vizituar shumë nga vëzhgues të huaj.

Në këtë qytet ka qëndruar edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Qetësinë e ka prishur edhe një incident në sheshin “Skënderbeu”, ku një person nën ndikimin e lëndëve narkotikve ka bërë manovfra me automjet, duke rrezikuar qytetarët.

Ai është ndalur vetëm pas ndërhyrjes së një kalimtari, me të cilin disa minuta më vonë Edi Rama bëri fushatë, duke postuar fotografi me të në rrjetet sociale.

Pas një fushatë agresive mes partisë në pushtet, PS-së, dhe koalicionit të bashkuar rreth së djathtës, e cila kulmoi me një vrasje në Elbasan, në ditën e votimeve liderët kanë folur për rëndësinë e respektimit të votës.

Ndërkaq presidenti Ilir Meta, i cili ka qenë aktiv gjatë fushatës duke u bërë thirrje qytetarëve që të angazhohen në mbrojtjen e votës duke përdorur edhe sëpatat, ka thënë se zgjedhjet janë festë e demokracisë.

Në Tiranë ka votuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që mban shtetësi shqiptare. Partia që drejton ai garon me tre deputetë të pavarur për Qarkun e Tiranës, atë Lezhës dhe të Gjirokastrës.

Në zgjedhjet e së dielës ka votuar edhe vartësi i Kurtit në qeveri, Liburn Aliu, politikanë të partive të tjera e qytetarë tjerë që mbajnë pasaporta shqiptare.

Njësoj sikurse gjatë fushatës zgjedhore, Rama ka refuzuar të komentojë veprimin e Kurtit, duke thënë se këtë do ta bëjë pas zgjedhjeve.

Ndërkaq, qytetarët presin më shumë punë nga partia që do të qeverisë në katër vjetët e ardhshme.

Identifikimi elektronik është një nga risitë e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri. Ky sistem është aplikuar në tërë vendin, me synimin që të parandalohet votimi i dyfishtë.

Secili votues është dashur të identifikohet, duke e kaluar kartën e identitetit ose pasaportën biometrike te pajisja elektronike, si dhe është dashur t’i japë shenjat e gishtave.

Por, jo në të gjitha rastet ka funksionuar ky sistem, ku problemet teknike kanë shkaktuar edhe tolllovi, sikurse në shkollën nëntëvjeçare “Kosova” në Tiranë.

E, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, gjatë një konference ka thënë se është sulmuar edhe aplikacioni i KQZ-së, që tregon një gjë të tillë, por po punohet për ta zgjidhur.

Tjetër risi kanë qenë kamerat në çdo qendër votimi. Kamera me rezolucion të lartë do të instalohen në çdo qendër votimi. Në rast problematikash ato do të jenë një provë e mëtejshme për garantimin e sigurisë së procesit dhe ndjekjen e incidenteve.

Për dallim nga Kosova, të prekurit me COVID nuk kanë pasur mundësi që të votojnë. Kodi Zgjedhor në Shqipëri kërkon që votuesi të paraqitet fizikisht në qendrën e votimit dhe nuk parasheh ekipe mobile.