Video

Pesë vjet pas aktakuzës, gjykata ndalon ekspozimin e fytyrave të të akuzuarve për “Vizat italiane”

Fytyrat e të akuzuarve në rastin e njohur si “Vizat italiane”, ku kryeprotagonist është i akuzuari Ukë Rugova, tash e tutje, sipas vendimit të gjykatës, nuk do të ekspozohen publikisht. Një vendim i tillë është marrë në seancën e së premtes, e cila është e para e suksesshme pas 15 muajsh. Gjykimi ka filluar nga zeroja, ndërsa që të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm

Pas afro një muaji, Gjykata Themelore në Prishtinë ka arritur ta përfundojë seancën gjyqësore, ku protagonist është Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova. Por, ndonëse kanë kaluar afro pesë vjet nga fillimi i këtij gjykimi, në seancën e mbajtur të premten është vendosur që të mos ekspozohen në media fytyrat e të akuzuarve.

Kjo kërkesë ka ardhur nga avokati Besnik Berisha.

“Mund të ekspozoj fytyrën time, por assesi të akuzuarit, sepse kjo nuk riparohet asnjëherë pa marrë parasysh vendimin. Lejoni të incizoj trupin gjykues, prokuroren, avokatët”, është shprehur Berisha.

Kërkesa është miratuar nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku.

“Për atë e konstatova prezencën e mediave, secili medium që është këtu edhe me kamera këta e dinë që nuk kanë të drejtë me qit në kamerë asnjërin të pandehur dhe kjo ka qenë intenca e qëllimi pse i kemi mbajtur në procesverbal, sepse çdo incizim që del me fytyrë kanë me mbajt përgjegjësi”, ka deklaruar gjykatësja Dërmaku.

Gjykimi ka vazhduar me leximin e aktakuzës.

“Do të dëgjohen 77 dëshmitarë të cilët në dëshmitë e tyre do të dëshmojnë si i akuzuari Ukë Rugova së bashku me të akuzuarit e tjerë ju ka mundësuar rregullimin e vizave italiane shengen për këta klientë, që për këto viza kanë paguar shuma të ndryshme të parave”, ka thënë Florie Shamolli, prokurore speciale.

Në këtë rast penal, për krim të organizuar në lidhje me vizat italiane, përveç Rugovës akuzohen edhe ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, pastaj Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Avokati Berisha, që e përfaqëson të akuzuarin Izet Beqiri, ka konsideruar që kjo aktakuzë është joprofesionale.

Politike këtë aktakuzë e ka quajtur edhe Astrit Haraqija, sipas të cilit ajo është ngritur për t’i eliminuar politikisht atë dhe Ukë Rugovën.

“Vetë shefi i EULEX-it në atë kohë, kur ma ka bo ti dhe zoti Rugova kurrë nuk keni me marrë partinë dhe kam me ju qu në burg dhe deri në Hagë mrrina me shku në burg, qëndrova 5 muaj dhe atje shkalla e dytë më shpalli të pafajshëm”, ka thënë ai.

E i akuzuari Florjan Petani ka argumentuar gjatë se si është shkelur ligji në dëm të tij nga Prokuroria, me arsyetimin që për të njëjtën veprimtari penale ai akuzohet dhe po gjykohet edhe në shtetin italian, shtetas i të cilit është.

“Prokuroria Speciale ka qenë vazhdimisht në dijeni, përfshirë këtu edhe prokuroren e nderuar dhe përkundër këtij fakti as Prokuroria në Itali dhe as Prokuroria në Kosovë nuk e morën mundin që të koordinohen mes tyre dhe të vijnë dakord se cili juridiksion duhet të merret me mua, në vend të kësaj, preferuan që të më godasin të dyja, edhe pse të dyja janë në dijeni për proceset paralele”, është shprehur Petani.

Sipas aktakuzës, Ukë Rugova gjatë periudhës maj 2011 deri më shkurt 2014 ka menaxhuar një grup kriminal, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së, nga Ambasada italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza dyshohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Kjo lëndë ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, mirëpo ajo ka kaluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm dhe lënda tanimë gjykohet nga gjykatësja Fatime Dërmaku.