Video

Ministria e Mjedisit anulon dy vendime të ish-udhëheqjes

Kriteret diskriminuese për tenderin 44 milionësh për mirëmbajtjen e rrugëve, kanë çuar në anulimin e tij nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Tenderi për kontratë trevjeçare, ishte hapur javëve të fundit nga ish-ministri Arban Abrashi, porse u anulua tri javë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti.

“Ka pasur ankesa në fillim ka pasur kritere që janë favorizuar disa kompani, pastaj janë ndryshuar ato kritere, janë ulë dhe ka pasur ankesë pse janë ulë ato kritere dhe ju është dhënë më shumë hapësirë atyre kompanive për të konkurruar, por pasi që procedura ka qenë ende në fazën para ofertimit, ne kemi vendosur që të anulojmë komplet procedurën”, ka thënë zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi.

Pas shpalljes së këtij tenderi, KOHA kishte kërkuar nga Ministria pse është shpallur në kohën sa ishte në detyrë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje nga ana e saj.

Përveç këtij tenderi, MMPHI-ja ka anuluar edhe vendimin për hapje rrugë privatizimit të shërbimeve të patentë shoferëve.

Durmishi ka thënë se së shpejti do ta finalizojnë e-testimin.

Ndërkohë, ka paralajmëruar që ditëve në vazhdim do të ketë edhe anulime të vendimeve tjera, të cilat, siç ka thënë, janë marrë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa mbështetje financiare.