Video

Opozita i kërkon Kurtit të mos përzihet në fushatën zgjedhore në Shqipëri

Drejtues të PDK-së e të LDK-së, ndërsa kanë përmendur gjendjen me pandeminë dhe shifrat e fundit të të vdekurve nga COVID-19, i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë që të tërhiqen nga fushata zgjedhore dhe protestat në Shqipëri. Veprimet si këto, sipas opozitës, janë të papërgjegjshme dhe dëmtojnë raportet në mes të dyja vendeve. Në fundjavë, krahas mijëra qytetarëve, në Shqipëri, qëndruan deputetë të VV-së edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu. E vetë kryeministri Kurti, përmes postimeve të tij u dha mbështetje tre kandidatëve, të cilët po kandidojnë në zgjedhje e 25 prillit

Fushata dhe mbështetja që kryeministri Albin Kurti u dha tre kandidatëve në Shqipëri në zgjedhjet e 25 prillit, po cilësohet si papërgjegjësi karshi situatës pandemike me të cilën po përballet vendi. E papranueshme për opozitën është edhe qëndrimi i disa prej zyrtarëve të Qeverisë këtë fundjavë në Shqipëri, ndërkohë që qytetarëve të Kosovës u janë vënë kufizime shtesë.

PDK-ja të hënën përmes një konference për media i ka kërkuar Kurtit që të tërhiqet nga fushata zgjedhore në Shqipëri, derisa ia ka rikujtuar shifrat e të vdekurve ditëve të fundit nga Covid-19.

“Ne sot e kemi një kryeministër mjaft të papërgjegjshëm që e udhëheq Republikën e Kosovës dhe po e dëmton edhe raportet në mes të dyja vendeve që nuk ka ndodhur asnjëherë. Ne po i bëjmë thirrje që të tërhiqet nga kjo fushatë zgjedhore në Republikën e Shqipërisë, sepse për 20 ditë me të ndërru jetë 212 qytetarë si rezultat i Covid-19 dhe mos me ndje përgjegjësinë, me i ikë përgjegjësisë, vërtet është e papranueshme”, ka thënë Abelard Tahiri shef i GP të PDK-së.

Tahiri nuk ka përjashtuar edhe mundësinë e thirrjes së një seance të jashtëzakonshme, derisa ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Kurti edhe lidhur me mossigurimin e dozave të tjera të vaksinës.

“Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë, dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion, një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës. Ai është vaksinuar vetë, por ka refuzuar ndihmën e Shqipërisë për të siguruar edhe një numër të konsiderueshëm vaksinash për qytetarët, ndërsa nuk ka treguar se prej ku i pret ndihmat e as vaksinat”, është shprehur Tahiri.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjithashtu përmes një postimi në Facebook ka kritikuar qasjen e Kurtit karshi situatës me pandeminë, derisa e ka quajtur papërgjegjësi sjelljen e tij me zgjedhjet e protestat në Shqipëri.

“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri - nga kryeministri, ministrat e deputetët e tij - në kohën kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi. Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim - qoftë madje edhe si solidarizim - është një shembull sjelljeje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo qeveri nuk po e jep dot! Ajo i ka braktisur njerëzit e vet”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.

Krahas mijëra qytetarëve, të cilët gjatë vikendit, si shkak i ashpërsimit të masave vendosën të shkonin në Shqipëri, u panë deputetë të VV-së edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ministri edhe publikoi foto me kandidatët për deputetë të VV-së në Shqipëri.

Ndërsa vetë kryeministri Kurti përmes postimeve të tij në Facebook u dha mbështetje tre kandidatëve, të cilët po kandidojnë për deputetë në zgjedhje e 25 prillit.