Angazhim pa vonesa në dialogun me Serbinë i ka kërkuar Kosovës sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Në letrën e urimit të Blinkenit, drejtuar kryeministrit Albin Kurti, njëkohësisht shkruhet se nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, që do të ishte rezultat i këtij dialogu, duhet të arrihet njohja reciproke në mes të dy shteteve.
“Kosova gjithashtu duhet të angazhohet në mënyrë produktive dhe pa vonesë në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja e të mbështetur nga SHBA-ja. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e normalizimit me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë, është thelbësore për arritjen e potencialit të plotë të Kosovës dhe rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet ndër tjerash në urimin e pranuar nga Kurti, që e mban datën 7 prill.
Lidhur me dialogun me Serbinë, KOHA të enjten nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Qeveria, e as nga Bashkimi Evropian.
Ndërkohë, njohësit thonë se Qeveria duhet të ketë një platformë të qartë për bisedimet. Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike përmend njëkohësisht si element pozitiv unitetin mes prijësve institucionalë.
“Qeveria duhet të qartësojë parimet, kornizën dhe platformën për të vazhduar tutje. Ajo çka është pozitive është që kemi një kohezion te institucionet e krerëve të shtetit e që ka munguar në kohën e kaluar”, ka thënë ai.
Sipas Fetahut, bashkëpunimi që është duke u proklamuar nga ana e këtyre prijësve do të bëjë që Kosova të ketë pozicion më të fortë karshi Serbisë.
“Kohezioni politik në mes të presidentit dhe kryeministrit është shumë i duhur në këtë moment, sepse Kosova nuk e ka luksin të shkojë në dialog me 2-3 qëndrime të ndryshme, qëndrimi duhet të jetë i unifikuar asisoj që pozicioni të jetë më i fortë”.
Të mërkurën, nga takimi që ka pasur me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar përfshirjen e opozitës në, siç ka thënë ajo, çështjet e interesit të veçantë për vendin.
Megjithëkëtë, lidhur me këtë çështje nuk kanë pranuar të deklarohen nga Partia Demokratike e Kosovës. I pyetur të enjten nëse PDK-ja do të pranojë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, deputeti Bedri Hamza ka thënë se aktualisht nuk mund të japë një përgjigje për një temë të tillë, derisa ka shtuar se përgjegjësitë e institucioneve, si dhe të opozitës në secilën prej çështjeve janë të ndara.
Në të njëjtën ditë me ambasadorin Kosnett, presidentja Vjosa Osmani ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurti. Në një postim të bërë në Facebook, Osmani ka shkruar se me Kurtin ndër të tjera kishin diskutuar edhe rreth koordinimit mes institucioneve. “Menaxhimi i pandemisë e sigurimi i vaksinave, koordinimi në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes, ishin vetëm disa nga temat në takimin tonë të parë për bashkërendim institucional me kryeministrin Kurti dhe ministrat e dikastereve përkatëse”, ka shkruar ajo.
Para se të marrë postin e kryeministrit, në një tryezë diskutimi për dialogun, Albin Kurti ka thënë se në këtë proces me Serbinë do të diskutojnë si palë të barabarta, pa e harruar të kaluarën.
"E para, duhet të pranohet realiteti, e dyta duhet pranohet e vërteta, duhet të ulemi si të barabartë dhe e katërta duhet të përfitojnë qytetarët. Duhet të pranohet realiteti, sepse nuk mund të kthehemi para pavarësisë, para shpalljes", ka thënë Kurti në fund të marsit në një tryezë të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, me temën "Si tutje me dialogun?".
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.