22 vjet nga masakra e Lybeniqit, familjarët kërkojnë drejtësi
1
Vetëm 8 vjeçe ishte Rinore Huskaj në ditën e parë të prillit të vitit 1999, kur paramilitarët serbë e ndanë atë dhe motrat e saj nga babai Haxhi Huskaj, 38 vjeç.
Asaj i kujtohet se si babait të saj, pak para se të vritej, me forcë iu ishte larguar motra nga krahët edhe vajza e vogël, që e mbante në krah.
Rinorja dhe katër motrat e saj janë pesë prej 110 jetimëve që i kanë lënë pa prindër dy masakrat e kryera në këtë fshat nga forcat serbe.
Njëra më 25 maj të vitit 1998, kur u vranë 9 banorë dhe më 1 prill të vitit 1999 kur u pushkatuan 72 të tjerë, në mesin e tyre gra shtatzëna, foshnje, fëmijë të mitur dhe burra të moshave të ndryshme dhe pleq, krime për të cilat askush nuk është dënuar.
Shumica e kufomave nga masakra e Lybeniqit e 1 prillit të vitit 1999, ishin gjetur në varrezën Batajnicë të Beogradit, e disa të tjera në varrezat e Pejës, derisa të pagjetur mbesin edhe 13 lybeniqas.
Masakra dyshohet se është kryer nga formacioni paramilitar serb “Çakallët”, të cilët ditëve të pranverës së vitit 1999 kryen edhe masakra në fshatrat e tjera të Pejës, për çka 9 veta nga ky grup, në vitin 2014, janë dënuar nga dhoma e veçantë për krime të luftës në Gjykatën e Lartë të Beogradit me gjithsej 106 vjet burgim.
Por Gjykata e Apelit të Serbisë e kishte hedhur poshtë atë aktvendim dhe rastin e ka dërguar në rigjykim, i cili ende gjendet në proces.