Video

Kurti: Katër parime do ta përcjellin dialogun, jo Asociacion njëetnik

Kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve, Albin Kurti, edhe një herë tjetër ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk do të jetë prioritet për Ekzekutivin e ri.

Në një tryezë të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, me temën "Si tutje me dialogun?", Kurti ka theksuar se në dialogun me Serbinë, Kosova duhet të shkojë mirë e përgatitur, në mënyrë që ta shmangë edhe një dështim të radhës.

Ai ka shtuar se këtë proces duhet ta përcjellin katër parime, pa e harruar dhe rrafshuar historinë.

"E para duhet të pranohet realiteti, e dyta duhet pranohet e vërteta, duhet të ulemi si të barabartë dhe e katërta duhet të përfitojnë qytetarët. Duhet të pranohet realiteti sepse nuk mund të kthehemi para pavarësisë, para shpalljes", ka thënë Kurti.

Duke iu përgjigjur deklaratës së Bashkimit Evropian, ku është ritheksuar se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se mund të ketë asociacion të komunave të Bjeshkës së Rugovës apo maleve të Sharrit por jo asociacion njëetnik.

“Neni 44 i Kushtetutës e Kosovës garanton lirinë e asociimit, por nuk ka nevojë të negociohet për diçka që ne e kemi të garantuar me Kushtetutë. Nuk mund të kemi Asociacion një-etnik, nuk mund të jetë karakteri i asociacionit të komunave- por jo një-etnik e thotë edhe Gjykata Kushtetuese, i shpallur në vitin 25 dhjetor të vitit 2015. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit”, ka shtuar Kurti.

Ndërsa publicisti Veton Surroi ka thënë se gjatë këtyre dhjetë vjetëve janë krijuar shpërputhje juridike mes çështjeve që janë nënshkruar nga Kosova dhe sistemit të saj kushtetues juridik, duke përmendur si shembull edhe rastin e Asociacionit të komunave serbe.

Ai ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet të bëjë rivlerësimin e procesit të dialogut.

“Nuk ekziston asnjë ndryshim strukturor në premisë që bën që procesi të kalojë pragun e pamjaftueshmërisë dhe kjo natyrisht i jep jo vetëm të drejtë por edhe obligim Qeverisë së ardhshme dhe pjesëve të shoqërisë që duan ta ndihmojnë këtë proces që ta bëjnë rivlerësimin e procesit dhe marrëveshjeve në mënyrë që të bëhet përparimi, në mënyrë që të kalohet ai prag natyrisht gjithnjë brenda këtij mandati që e ka BE si lehtësues i këtij procesi”, ka thënë Surroi.

Mes tjerash, Kurti ka theksuar se të pagjeturit dhe borxhet që Serbia ia ka Kosovës janë ndër çështjet kryesore që duhet të diskutohen në dialog.