Video

Vrasja e Sebahate Sopit: Kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit dhe prokurorit

11 ditë pasi ishte raportuar dhuna ndaj Sebahate Sopi në Prokurori, ajo ishte vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, e cili më pas kreu vetëvrasje.

Shteti dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës ia kishin shkelur të drejtën për jetë Sebahate Sopit, e cila u vra nga bashkëshorti i saj 3 ditë më parë.

Në këtë konkludim kanë ardhur IKD-ja dhe Rrjeti i Grave i Kosovës, që këtë të mërkurë kanë kërkuar përgjegjësi dhe shkarkim të kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishit, dhe prokurorit i cili ishte duke e hetuar këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, përpos faktit që ka pasur të deponuar një rast, ka pasur edhe të dhëna kriminale që i njëjti, paraprakisht, për dhunë ndaj së njëjtës është mbajtur në paraburgim dhe ndaj së njëjtës ka pasur edhe një urdhër-mbrojtës. Bëhet fjalë për dhunë sistematike ndër vite dhe që rreziku i shpërthimit ka qenë evident, moment pas momenti. Mirëpo, përkundër kësaj, Prokuroria nuk ka marrë asnjë veprim në kuadër të kompetencave të saj. Sikur Prokuroria të ndërmerrte veprime në kuadër të kompetencave të saj, arsyeshëm besohet se do të bëhej distancimi në mes dorasit dhe viktimës”, tha Gëzim Shaka i IKD-së.

Ka vite të tëra që gratë, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, të cilat po raportojnë dhunën, nuk po marrin mbështetjen e shtetit.

“Ne do të kërkojmë që të gjenden edhe prokurorët të cilët, e që e dimë cilët janë, edhe të tjerë të cilët nuk po e zbatojnë punët dhe detyrën e tyre ashtu siç duhet. Dhe do të kërkojmë shkarkimin e tyre dhe masat e tjera të cilat janë ndëshkuese për këta ushtrues detyre në institucionet zyrtare”, Adelinë Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Por, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka reaguar ndaj deklarimeve të IKD-së, duke i quajtur të pavërteta dhe të pabazuara pretendimet e kësaj organizate.

Përmes një reagimi, Prokuroria edhe njëherë ka bërë të ditur se bazuar në kompetencat e veta ka ndërmarrë dhe ka trajtuar rastin me profesionalizëm dhe efikasitet.

“Edhe njëherë, sigurojmë opinionin se Prokuroria, bazuar në kompetencat dhe autorizimet e veta, i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në trajtimin e këtij rasti me profesionalizëm dhe efikasitet. Prandaj, pretendimet e ngritura nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) janë krejtësisht të pavërteta dhe të pabazuara në ndonjë shkresë të lëndës së këtij rasti. Prokurori i Shtetit është dhe do të mbetet i hapur për të bashkëpunuar dhe pranuar çdo kritikë profesionale nga shoqëria civile, mirëpo çdoherë do t’i demantojë pretendimet e tilla të paqëndrueshme, joprofesionale dhe tendencioze, të cilat si qëllim kanë dëmtimin e punës, imazhit dhe krijimin e mosbesimit të qytetarëve në Institucionin e Prokurorit të Shtetit”, thuhet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

11 ditë pasi vajza e viktimës Sebahate Sopi kishte paraqitur dhunën ndaj nënës së saj, Sopi ishte vrarë nga ish-bashkëshorti i saj në lagjen “Emshir” në Prishtinë.

Mirëpo, Prokuroria Themelore në Prishtinë, një ditë më parë, konfirmoi se ky institucion kishte ndërmarrë veprimet hetimore dhe që një ditë pas raportimit e kishte ftuar viktimën për të dhënë deklaratën në polici, por, siç thotë ajo, nuk ishte paraqitur për të dhënë deklaratë.

“Prokurori i Shtetit e ka autorizuar Policinë që të ndërmarrë edhe veprime të tjera të nevojshme hetimore, ku është intervistuar i dyshuari, i cili e ka mohuar ta ketë sulmuar ish-bashkëshorten e tij. Për t’i sqaruar ende këto rrethana të ekzistimit të veprës penale, Prokuroria i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ashtu që më 04.03.2021 ka ftuar në Polici për deklaratë shtesë të dëmtuarën S.S., por e njëjta përsëri nuk është paraqitur në stacionin policor”, thuhet nga Prokuroria.

Prokuroria Themelore e Prishtinës

KOHA ka pyetur Prokurorinë Themelore të Prishtinës se cilat veprime të tjera i kishte ndërmarrë pasi viktima nuk ishte paraqitur për të dhënë deklaratë, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, ish-bashkëshorti i viktimës, Lulëzim Sopi, kishte qenë edhe në paraburgim për dhunë në familje dhe kishte në fuqi një urdhër-mbrojtjeje.