Katër deputetë nga pakica joserbe kanë premtuar votë pro qeverisë Kurti, në konsultat që kanë pasur me pretendentin për kryeministër, Albin Kurti, dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.
Duda Balje, Bekim Arifi, Elbert Krasniqi dhe Emilja Rexhepi kanë thënë se do të votojnë pro Kurtit dhe Osmanit.
Një gjë të tillë nuk ia kanë premtuar në takimet e së martës përfaqësues të komuniteteve të tjera.
Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke ka thënë se do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit gjatë votimit të Osmanit për president, derisa për qeverinë ka thënë se nuk kanë vendosur ende.
“Sot kemi pasur takim lidhur me krijimin e qeverisë dhe institucioneve në Kosovë. Kemi paraqitur kërkesat tona, do të vazhdojmë bisedimet për krijimin e qeverisë. Dy votat tona do të jenë për presidenten, nuk do ta bllokojmë krijimin e qeverisë Kurti. Do të qëndrojmë në sallë për votimin e presidentes”, tha Damka.
Si kërkesë më herët ka përmendur mbylljen e shkollave të Fetullah Gylenit në Kosovë dhe shfuqizimin e vendimit për hapjen e Ambasadës në Jerusalem.
Ndërkaq deputeti i VAKAT-it, Rasim Demiri, ka deklaruar se janë pro ndërtimit të institucioneve, por edhe ata kanë disa kërkesa.
“PAI ka shprehur kërkesat e saj, do të jemi pjesëmarrës në Qeveri. Do të diskutojmë edhe për të ardhmen që të koordinohemi, do të jemi pjesë e vullnetit të mirë. Do të japim votën për presidenten”, ka deklaruar ai.
Kurti dhe Osmani kanë takuar edhe kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe zëvendësin e tij, Dalibor Jevtiq. Por nuk janë deklaruar pas takimit.
Me katër votat e konfirmuara nga komunitetet pakicë dhe 58 votat e koalicionit fitues, do të tejkalohej minimumi i kërkuar për votimin e qeverisë Kurti, e që është 61 vota.
Të hënën, Kurti e Osmani takuan udhëheqësit e PDK-së dhe AAK-së, ndërkaq takimet konsultative do të mbyllen të premten me Lumir Abdixhikun e LDK-së.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.