Video

Manipulimi në QNR

Shtatë kuti votimi pranë të cilave ishte prezent personi i përfolur për manipulim të votave, do të rinumërohen në prezencë të organeve të hetuesisë. Dyshimet për manipulime brenda Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve nxitën reagime të shumë kandidatëve që nuk arritën të bëhen deputetë. Por mbështetur në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisioni Qendror Zgjedhore ka vendosur të hënën për rinumërim të votave nga mërgata dhe atyre me kusht të AAK-së. Dyshimi është për manipulimin e 680 votave për llogari të kandidates së AAK-së, Meliza Haradinaj.

Në ditën e fundit të vendosjes së ankesave, PZAP-ja ka pezulluar gjashtë komisionerë të një vendvotimi në Suharekë, si dhe ka urdhëruar rinumërim të votave pas ankesës së Albena Reshitajt të AAK-së.

PZAP-ja ka aprovuar edhe ankesën e ish-drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, nga PDK-ja për rinumërim të votave në katër vendvotime - dy në Vushtrri e dy në Mitrovicë. Votat do t’i rinumërohen edhe Besa Ahmetit të PDK-së në 15 vendvotime; Lahi Brahimajt në dhjetë vendvotime e Albana Bytyqit të AAK-së në tetë vendvotime.

Ndërkaq e pabazuar është vlerësuar kërkesa e Lirije Kajtazit të LDK-së për rinumërim të pesë vendvotimeve, si dhe ankesa e Meliza Haradinajt për rinumërim të votave në fshatrat Zaplluzhë e Shajmë.

Derisa tek subjektet shqiptare akuzat kanë qenë brenda llojit për vjedhje votash, partitë joserbe nga komunitetet janë ankuar për uzurpim të vendeve të garantuara. Mbi bazën e këtyre ankesave Paneli ka anuluar votat e subjekteve boshnjake në komunat e populluara me shumicë serbe. Në tërësi ka anuluar votat e iniciativës së Adrijana Hoxhiqit në Zubin-Potok, Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot e Novobërdë.

Ndërkaq koalicionit Vakat i janë anuluar rreth 700 vota që kishte marrë në komunat me shumicë serbe.

Në total, partive boshnjake i janë anuluar 4976 vota, të cilat janë hequr nga rezultati përfundimtar.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit votat e partive boshnjake shënuan rritje për 49 për qind, që i bie rreth 7 mijë vota krahasim me zgjedhjet e kaluara, madje edhe në komuna që nuk popullohen me pjesëtarë të këtij komuniteti.

Vendimet e Panelit Zgjedhor mund të ankimohen nga subjektet dhe kandidatët në Gjykatën Supreme, verdiktin e të cilave duhet ta presë KQZ-ja para se t’i certifikojë rezultatet.