Gjendja jo e mirë e kullave të Jasharëve nuk i ka penguar qytetarët që të hyjnë dhe ta vizitojnë atë nga brenda.
Edhe këtë të shtunë, që nga mëngjesi, Prekazi ishte plot me vizitorë nga vende të ndryshme të Kosovës. Qytetarët, duke kujtuar familjen Jashari, thanë se institucionet duhet të kujdesen më shumë për këto kulla.
Nga kompleksi i familjes Jashari, përfaqësues të veteranëve bënë thirrje për krijimin e një gjykate e cila do të merrej me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
“Partitë politike, të vetëdijesohen dhe të krijojnë një gjykatë vendore apo të intensifikojë ndjekjen e krimeve të pushtuesit serb në Kosovë, sepse Gjykatën Speciale që këta e kanë miratuar është vetëm duke ndjekur luftën tonë të UÇK-së dhe kjo gjykatë do të merret me shpifje dhe montime të provave, siç i ka bërë UNMIK-u, EULEX-i, por edhe Tribunali i Hagës”, u shpreh Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së.
Homazhe bënë edhe krerë institucionalë e partish politike, të cilët thanë se duhet të çmohet sakrifica e të rënëve gjatë luftës.
Në nderim të 23-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në oborrin e kullave të Jasharëve është hapur edhe një ekspozitë nga fotografi Sefer Aliqkaj, i cili përmes fotografive ka paraqitur kompleksin e kullat e kësaj familjeje ndër vite.
Më 5, 6 dhe 7 mars, kur edhe e gjithë vëmendja kthehet në Prekaz, gjatë vitit 1998 forcat serbe kishin sulmuar dhe vrarë mbi 50 persona të familjes Jashari, 22 prej të cilëve fëmijë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.