Video

Përgjimet dhe ankesa e një qytetari çuan në arrestimin e tetë policëve

Përgjimi i disa të dyshuarve të tjerë dhe një ankesë kishin çuar në zgjerim të hetimeve dhe arrestimin e tetë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës këtë të premte.

Pas gati një vit hetimi, policët e Stacionit Policor të Jugut kanë përfunduar në pranga për një sërë veprash penale.

Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, “ushtrim ndikimi”, “falsifikim i dokumentit zyrtar”. Disa prej tyre madje dyshohen edhe për posedim e shpërndarje të narkotikëve.

Aksioni i policisë, sipas kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, kishte ardhur pas ankesës së një qytetari dhe përgjimeve të nisura kohë më parë.

“Ky rast është duke hetuar gati 1 vit dhe në bashkëpunim me IPK dhe me PK i kemi zbatuar mashat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit dhe në bazë informacioneve që i kemi marrë nga përgjimet, kemi ardhur në përfundim se duhet të zgjerohen hetimet edhe për disa persona me qëllim që të vërtetohet përgjegjësia e tyre penale që i kanë bërë veprimet në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë Lumezi.

9 telefona të konfiskuar, një veturë dhe dokumente e raporte, janë disa prej provave të siguruara gjatë bastisjeve në tri lokacione në Prishtinë.

E përfshirja e zyrtarëve të policisë në vepra të ndryshme kriminale, sipas drejtorit të Policisë, është individuale.

8 pjesëtarët e policisë, me vendim të prokurorit, janë dërguar në paraburgim për 48 orë, derisa IPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë lidhur me keqpërdorimet e shkeljet e mundshme të policisë.