Video

Kosova vazhdon me masat e njëjta anti-COVID, Zemaj kritikohet për fushatën

Me gjithë rritjen e numrit të të infektuarve javëve të fundit, Kosova vazhdon të ketë në fuqi edhe më tutje masat e njëjta kundër COVID-19.

Në mbledhjen e mbajtur këtë të enjte të Komitetit për menaxhimin e pandemisë është thënë se nëse situata përkeqësohet, atëherë do të merren masa rigoroze, duke mos përjashtuar as vendosjen e kufizimit të lëvizjes.

“Jemi për të diskutuar për situatën që tregon se këtë javë ka rritje të rasteve me infektim. Në vlerësim të masave apelojmë tek qytetarët për respektim. Në situatën që ndodhemi është e domosdoshme që në mënyrë të rreptë të respektohen të gjitha masat, distanca e të mbahen masat”, ka thënë ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Derisa drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se gjatë javës është vërejtur rritje e numrit të të infektuarve, si shkak i mosrespektimit të masave, ka treguar se janë në pritje të reagensëve, me të cilët mund të bëjnë detektimin e të gjitha varianteve të reja të COVID-19.

Por Zemaj në këtë takim u përball me kritika për fushatën zgjedhore.

“Mendoj që dëmi i shkaktuar nga ajo fushatë e turpshme ende nuk është duke u pa. Përveç dëmit në numra që do të rriten në vazhdimësi është edhe dëmi në humbjen e legjitimitetit për ne si inspektorat e policisë”, është shprehur drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Adonis Tahiri.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë nuk e la pa folur edhe për vaksinat anti-COVID. Zemaj ka thënë se vaksinat nga COVAX pritet të arrijnë këtë muaj, ndërsa ka shtuar se nuk do të marrë vaksina nga Serbia e Rusia, pavarësisht presionit që po u bëhet vazhdimisht.