Gjykata shpall fajtorë katër zyrtarë të komunës dhe pronarin e një kompanie në Pejë
Pejë, 1 mars - Gjykata Themelore e Pejës të hënën e ka dënuar me burg prej 6 muaj shefin e kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Durim Sheremeti për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Me 6 muaj burg për mashtrim është dënuar edhe pronari i një operatori ekonomik në Pejë, derisa tre punëtorë tjerë të kësaj komune, Gëzim Shala, Gëzim Lajqi dhe Ruzhdi Zhara, si anëtarë të komisionit pranues të mallit, janë dënuar me nga 6 muaj burg me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të pesë të akuzuarit janë shpallur fajtor nga gjykata, lidhur me një tender të shpallur në vitin 2017 në vlerë prej 12 mijë euro për blerjen e një makine për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në fshatin Brestovik në Pejë.
Derisa ka lexuar aktvendimin e sjellë, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sami Sharraxhiu, ka thënë se i pandehuri Durim Shermeti, me datë 19.09.2017, si shef i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Pejë, me dashje i tejkalon kompetencat e veta, duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit me titull në vlerë prej 11 mijë e 929 euro, pa pas mandat dhe kompetencë në emër të organit mbikëqyrësi, respektivisht menaxherit të projektit Faik Zekaj, i cili kishte refuzuar pranimin e mallit për shkak se makina e sjellë ka qenë prerëse e barit natyror dhe në vlerë prej 2 mijë euro, kurse makina e kërkuar ka qenë për mirëmbajtje të barit artificial dhe në vlerë prej 11 mijë e 929 euro, duke i shkaktuar dëm komunës në shumë prej rreth 10 mijë euro.
I pandehuri Durim Sheremeti, sipas gjyqtarit Sharraxhiu, pa pasur ndonjë vendim apo mandat nga Komuna e Pejës dhe kompetenca që të nënshkruaj në emër të personit tjetër në raportin mbi pranimin e mallit, ka nënshkruar pranimin e makinës, edhe pse ka qenë në dijeni se makina që është sjellë nga operatori ekonomik, nuk është sipas paramasave dhe specifikave të përcaktuar në tender, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, dobi në shumë prej 9 mijë e 929 euro.
“Të pandehurit Durim Sheremeti gjykata i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, e të cilin dënim do ta vuaj pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm. Gjykata të pandehurit, me pëlqimin e tij, dënimin me burg ia zëvendëson me dënim me gjobë në shumë prej shtatë mijë euro, të cilin dënim i pandehuri është i obliguar që ta paguaj në afat prej tre muajve pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm. E po qe se nuk e paguan dënimin me gjobë në afatin e caktuat, dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burg”, ka treguar gjyqtari Sharraxhiu dënimin e sjellë ndaj Sheremetit, të cilit gjykata i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik, në kohëzgjatje prej dy vite pas vuajtjes së dënimit.
Me gjashtë muaj burg gjykata e ka dënuar edhe te pandehurin Ilir Kelmendi, pronar i një kompanie në Pejë, të cilit gjithashtu gjykata ia ka mundësuar, që nëse donë i pandehuri, dënimin me burg ta zëvendësojë me dënim me gjobë prej 5 mijë euro, si dhe Kelmendit i është shqiptuar edhe dënimi shtesë prej dy mijë euro gjobë tjera.
“I pandehuri Ilir Kelmendi, si pronar i firmës ‘Green Construction SH.P.K’, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti, i ka shkaktuar dëm K.K Pejë, në vlerë prej 9 mijë e 929 euro, në atë mënyrë që pasi ka fituar tenderin ‘Blerja e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Pejë’, në vlerë prej 11 mijë e 929 euro, i pandehuri nuk i përmbahet kushteve të tenderit, ashtu që i pandehuri nuk e ka sjell makinën sipas kontratës, por një makinë për prerje bari me çmim të tregut prej dy mijë euro, duke mos ofruar e as dorëzuar dëshmi për blerjen e makinës, faturë të blerjes dhe dëshmi për origjinën e mallit dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës në shumë prej 9 mijë e 929 euro”, ka treguar gjyqtari Sharraxhiu arsyet pse është shpall fajtor dhe është dënuar Kelmendi. Kurse, tre të pandehurit tjerë, shef i logjistikës Gëzim Lajqi, zyrtari i pranimit Ruzhdi Zhara dhe shoferi në Komunë, Gëzim Shala, janë dënuar nga gjykata secili veç e veç me kusht prej 6 muajve burg, të cilin dënim të pandehurit nuk do ta vuajnë nëse në afat prej një viti nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.
Tre të pandehurit janë shpallur fajtor nga gjykata, pasi ata si persona zyrtar të Komunës së Pejës, në veti të anëtarëve të komisionit mbi pranimin e mallit, sipas aktgjykimit të sjellë, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që me datën 19.09.2017, edhe pse nuk kanë pasur një vendim në formë të shkruar se ata janë caktuar si anëtar të komisionit, kanë nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit pa e kontrolluar fare makinën e sjellë nga operatori se ai përmbush specifikat sipas kontratës.
“Pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit furnizues, nënshkruajnë pranimin e mallit – makinës, edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet bërë verifikimin se makina e sjell nga operatori ekonomik a është sipas paramasës, parallogarisë dhe specifikave të përcaktuara me kontratë, ashtu edhe në para në vlerë prej 2 mijë euro, dhe me veprimet e tyre, me këtë rast buxheti i Komunës së Pejës është dëmtuar në shumën prej 9 mijë e 929 euro, gjersa operatori ekonomik ka përfituar këtë shumë. Me çka secili veç e veç kanë kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 të KPRK-së”, tha gjyqtari Sharraxhiu.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit në gjykatore nuk ishin të pranishëm prokurori i lëndës Agron Galani, i pandehuri Durim Sheremeti, e as mbrojtësi i tij Labinot Murati. Ndaj këtij aktgjykimi palët kanë drejt ankese në Gjykatën e Apelit dhe këtë drejtë do e shfrytëzojë Flamur Kelmendi, mbrojtësi i të pandehurit Ilir Kelmendi, i cili e ka kundërshtuar këtë aktvendim ndaj klientit të tij.
“Është një aktgjykim zhgënjyes për faktin se gjykata e poashtu edhe prokuroria nuk i ka vlerësuar siç duhet provat për të cilat i mbrojturi im është shpallur fajtor. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me vepër penale por me marrëdhënie kontraktuale. Pra mund të fillohet një procedurë për mos realizimin e kontratës në saje të dispozitave që janë në fuqi, dhe në saje të kontratës ku decidivisht thuhet se paraprakisht duhet të udhëhiqet një procedurë administrative e pastaj nëse nuk ka mirëkuptim mes operatorit dhe blerësit të mjetit, atëherë mund të shkohet në gjykate dhe atë në procedurë civile e jo kurrsesi në penale”, tha avokati Kelmendi.
Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj pesë të pandehurve në maj të vitit 2019. Pasi ishte ngritur aktakuzë ndaj tyre, të pestit kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit për të hedhur poshtë aktakuzën, por Gjykata e Apelit i ka hedhur poshtë si të pabazuara ankesat e tyre, duke e konfirmuar në janar të vitit 2020 të ligjshme aktakuzën e ngritur ndaj të pandehurve dhe shqyrtimi kryesor gjyqësor kishte nisur pas një muaji.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.