Prishtinë, 23 shkurt - Agjencia Kosovare e Privatizimit ka shpërfillur tri vendime të Qeverive paraprake. Qeveria Kurti përmes dy vendimeve kishte kërkuar nga ky institucion që të pezullojë të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme që ka nën menaxhim. Ndërsa Qeveria Hoti, duke anuluar këto dy vendime, kishte kërkuar që të mos bëjë shpallje të asnjë vale të re të privatizimit derisa të miratohet Strategjia në përputhje me planin qeveritar për përmbylljen e procesit të privatizimit.
Por AKP-ja afro një muaj më parë ka miratuar planin për shitjen e aseteve me likuidim, që parashihet të mbahet më 10 mars. Në kuadër të veprimeve të saj, ka bërë edhe shpallje publike për qiradhënie të aseteve me karakter specifik.
Kjo ka nxitur reagim nga kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili i ka bërë thirrje kësaj agjencie që të ketë parasysh programin qeverisës të VV-së, që synon rishikimin e gjithë procesit të privatizimit.
“Në programin tonë qeverisës kishim paraparë edhe ndryshimin rrënjësor të statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Synonim rishikimin e gjithë procesit të privatizimit e që nënkuptonte një trajtim ndryshe si të pronës publike ashtu edhe të asaj shtetërore”, ka shkruar Kurti. Lideri i VV-së ka thënë se ka marrë informata që AKP-ja po synon të hapë valë të re të likuidimit, derisa ka paralajmëruar masa ndaj Bordit.
“Thirrjet e Bordit në gjoja pavarësinë e institucionit dhe në nevojën që paska vendi për privatizim më të shpejtë në mënyrë që të gjenerohen të hyra shtesë për buxhetin e shtetit, janë konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion”, ka shkruar ai.
Kurti ka kërkuar që të mos sfidohen mekanizmat institucionalë dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi.
AKP-ja ndërkohë ka njoftuar se Bordi i Drejtorëve në një takim joformal më 19 shkurt ka udhëzuar menaxhmentin që të mos vazhdojë me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 14 shkurt.
“Duke pasur parasysh planifikimet buxhetore të Qeverisë për vitin 2021 dhe obligimet ligjore të AKP-së që të zbatojë ligjin në fuqi, Bordi ka shqyrtuar mundësinë e rifillimit të shitjeve në mënyrë që të hyrat buxhetore të arrihen sipas Ligjit për buxhetin. Sidoqoftë, e ritheksojmë se qysh javën e kaluar, në respektim të procesit të formimit të institucioneve të reja, dhe me qëllim të koordinimit sa më të ngushtë me Kuvendin dhe Qeverinë, Bordi ka marrë vendim për pezullimin e valëve të shitjes”, thuhet në komunikatën e AKP-së.
Por ky njoftim nuk është publikuar në faqen e AKP-së.
Ndërkohë AKP-ja u ka bërë thirrje akterëve publikë që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga kualifikimet publike.
Qeveria Kurti në fillim të mandatit të saj kishte filluar planin për shuarjen e AKP-së, por që pas rrëzimit të saj ky plan nuk u realizua. Ndërkohë edhe procesi hetimor i privatizimit nga Komisioni parlamentar ka mbetur në gjysmë, për shkak të shpërndarjes së Kuvendit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.