Procesit të rinumërimit mund t’u nënshtrohen edhe disa vendvotime të tjera në ditët vijuese.
Derisa këtë të premte ka përfunduar rinumërimi i 12 vendvotimeve, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se edhe disa të tjera janë në proces të vlerësimit.
Elezi, në një deklarim për media, ka thënë se gjatë pranimit të materialit zgjedhor janë vërejtur disa parregullsi, por që mbetet të pritet se cili do të jetë rekomandimi i Qendrës së Rinumërimit dhe Rezultateve.
“Edhe në procesin e auditimit shkojnë vendvotime, në të cilat gjatë pranimit të atij materiali ka ndonjë mospërputhje. Megjithatë duhet të presim raportin e QNR-së edhe lidhur me kutitë e votimit që janë në proces të auditimit, për të parë se cili mund të jetë rekomandimi e sigurisht edhe vendimmarrja e KQZ-së lidhur me to”, ka thënë Elezi.
Më tutje, zëdhënësi i KQZ-së, ka bërë të ditur se numërimi i votave të ardhura nga diaspora, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta do të fillojë pas vlerësimit të tyre.
“Procesi i numërimit të votave nga jashtë vendit i votave me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta varet nga procesi të cilat i përmendet e mëhershme do të thotë nga progresi i tyre, menjëherë pasi të përfundojnë këto do të jetë e mundur që KQZ-ja të fillojë me numërimin e votave me kusht atyre jashtë vendit dhe të personave me nevoja të veçanta”, ka shtuar ai.
Nga 11 mijë e 653 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat i janë nënshtruar procesit të vlerësimit deri më tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar 8 mijë e 212 zarfe me fletëvotime.
Në anën tjetër, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesimi i të dhënave nga formularët e rezultateve të kandidatëve dhe të subjekteve politike, proces ky i cili është drejt përfundimit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.