Prishtinë, 6 shkurt – Mbledhja e Komisionit Qendror Zgjedhor as të shtunën nuk ka kaluar pa diskutime midis anëtarëve. Përfaqësuesit e Vetëvendosjes kanë debatuar ashpër me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, dhe me anëtarët e tjerë.
Duke iu referuar formularëve për rezultatet e kandidatëve, Alim Rama e Sami Kurteshi e akuzuan Dakën për veprime të qëllimshme në dëm të tyre. Rama e Kurteshi, edhe në mbledhjen e mbajtur të shtunën kanë insistuar që nëpër formularë të jetë edhe emri i kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, përkundër moscertifikimit.
“Këtu ka përgjegjësi penale, se vendimi është i qëllimshëm. Edhe ti je në rregull me kriju vendim të qëllimshëm”, ka thënë Alim Rama, derisa i është drejtuar kryetares së KQZ-së, e cila ka thënë se janë duke zbatuar atë që e kanë aprovuar në mbledhjet e mëparshme.
Përfaqësuesi i Nismës në KQZ, Eshref Vishaj dhe ai nga minoritetet, Rifat Krasniç, kanë kërkuar nga kolegët e tyre që të mos i përdorin ambientet e KQZ-së për të bërë fushatë. Madje, Krasniç, ka thënë se diskutimet e përfaqësuesve të LVV-së, janë duke ia rikujtuar kohën e studimeve.
“Kemi rendin e ditës, ne nuk jemi m’i dëgju ligjëratat e LVV-së. Unë e kam kry fakultetin nuk po du me i ni prej jush”, tha ai. Krejt në fund të mbledhjes, KQZ-ja ka përkrahur rekomandimin e Zyrës së Sekretariatit që pakot e ardhura me postë të shpejtë nga diaspora të presin fillimisht në filialet e tyre e pastaj të barten nga Sekretariati në një kohë të përshtatshme deri në vendin ku do të numërohen.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.