Dënimet e qytetarëve për mosrespektim të Ligjit për parandalimin dhe Luftimin e COVID-19, po vazhdojnë të shqiptohen nga ana e Policisë së Kosovës.
Gjatë së premtes është gjobitur edhe Admir Daku, për mosmbajtje të maskës në veturë.
Ai po ndihet i pabarabartë me përkrahësit e partive politike, që po marrin pjesë në tubime elektorale.
Barazia para ligjit është e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Neni 3 pika 2 thotë se Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Për KOHËN, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se kanë pranuar disa ankesa për këtë çështje.
“Kemi disa ankesa që kanë ardhur te ne. Do të thotë ekziston dyshimi për trajtim jo të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ne jemi duke e hetuar këtë dhe së shpejti do të dalim me një qëndrim”, ka thënë Qelaj.
Në anën tjetër, partitë politike po vazhdojnë që gjatë kohës së fushatës të organizojnë tubime, duke mos respektuar kështu masat në fuqi e ligjin.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, duke theksuar se organizimet e tilla po rrezikojnë shëndetin publik.
“Në vend se partitë politike objektiv kryesor ta kenë shëndetin publik dhe mirëqenien e qytetarëve, ato po veprojnë në kundërshtim me këtë. Të kërkohet votë duke rrezikuar shëndetin publik të qytetarëve në emër të vaksinimit apo të rregullimit të sistemit shëndetësor është hipokrizi. Të kërkohet votë në emër të sundimit të ligjit duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, është hipokrizi”, thuhet në reagim.
Për partitë politike vetëm Inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe ai i Prizrenit kanë shqiptuar gjoba për mosrespektim të Ligjit për luftimin dhe parandalimin e COVID – 19.
Deri tani janë shqiptuar 15 gjoba, nga këto inspektorate institucion në vlerë prej 2000 eurosh.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.