Video

Vendosen marrëdhëniet diplomatike Kosovë-Izrael

Kosova dhe Izraeli të hënën kanë zyrtarizuar njohjen.

Ndonëse pa takim fizik, përmes video-lidhjeve, ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, dhe homologu i saj izraelit, Gabriel Ashkenazi, kanë nënshkruar dokumentin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve.

Ministri izraelit e quajti historike marrëveshjen e arritur, ku bëri të ditur se së shpejti pritet të hapet edhe Ambasada e Kosovës në Izrael.

“Sot po bëjmë histori, sot po normalizojmë marrëdhëniet mes Izraelit dhe Kosovës, një moment që shumë e kanë pritur. Sot është mundësia jonë që të përmirësojmë marrëdhëniet tona me njerëzit e Kosovës. Kjo marrëveshje është pjesë e Marrëveshjes së nënshkruar në Washington”, tha Gabriel Ashkenazi, ministër i Jashtëm i Izraelit.

Pas nënshkrimit, në një konferencë të përbashkët me ministren, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha se ceremonia e së hënës i nxjerr plotësisht gabim të gjithë ata që e kanë kritikuar marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

“Veprimi i sotëm dhe konkretizimi që bëmë sot i marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Avdullah Hoti, kryeministër në detyrë i Kosovës.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka thënë se shumë shpejt do të nisin edhe procedurat për emërimin e ambasadori në Jerusalem.

“Kemi një të ngarkuar me punë që do t’i përcjellë të gjitha procedurat që janë në fuqi në shtetin tonë dhe në Izrael”, ka thënë ajo.

Ndërsa analisti politik, Arton Demhasaj, ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë njohje për të lobuar tek vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Këtë njohje Kosova duhet ta përdorë në aspektin pozitiv, sepse kur të njeh një shtet i fortë si Izraeli pastaj ti mund të shkosh të kërkosh njohje nga shtetet e vogla të cilat mund ta ndjekin një rrugë të tillë. I vetmi rrezik i kësaj njohjeje janë shtetet islamike”, ka pohuar Demhasaj.

Dy ministritë kanë nënshkruar memorandum edhe për konsultime politike dhe bashkëpunim zhvillimor dhe dokumenti është nënshkruar në katër kopje, në gjuhën shqipe, angleze, hebraike dhe serbe.

Shteti i Izraelit është 117-ti me radhë që e njeh pavarësinë e Kosovës.