Video

Numri i Kurtit mbetet i zbrazët, ndryshimin e listës s’e bëjnë as AAK e Nisma

Vetëvendosje, AAK e Nisma kanë vendosur që të mos e ndryshojnë renditjen e kandidatëve në listë, ndonëse pas vendimit të Supremes kanë mbetur pa disa prej tyre. Në mbledhjen e KQZ-së, ku u diskutua lista e kandidatëve, anëtarët e LVV-së polemizuan me atë të PDK-së, i cili insistonte që KQZ-ja duhet t’i rirendisë kandidatët

Prishtinë, 30 janar – Numri një i listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, e të cilin është planifikuar ta mbante kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti, ka mbetur i zbrazët.

Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të mos i rirendisë kandidatët në listën e saj, ndonëse përveç Kurtit, Gjykata Supreme nuk lejoi kandidimin edhe të dy kandidateve të tjerë, Albulena Haxhiut e Bajram Mavriqit.

Subjektet të cilat kanë mbetur pa kandidatët të cilët nuk janë certifikuar, si në rastin e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së, e Nismës, kanë pasur kohë deri në orën 16:00 të së shtunës që t’i bëjnë rirenditjet e tyre. Një orë më pas, në mbledhjen e Komisionit Qendror Zgjedhor, drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, Yll Bulleshkaj, ka treguar se si do të zhvillohet procesi.

Sipas tij, nga gjashtë subjekte gjithsej, katër kanë vendosur të mos e ndryshojnë renditjen, një e ka bërë një gjë të tillë, e një tjetër nuk i është përgjigjur thirrjes së tyre për rirenditje deri në afatin e përcaktuar.

“Kemi pranuar njoftimin nga katër subjektet politike të cilat janë deklaruar që do t’i mbajnë listat e kandidatëve ashtu siç kanë qenë në fillim, Lëvizja Vetëvendosje, Nisma, PDAK dhe AAK. Një subjekt politik ka dërguar një listë të riradhitur, PAI dhe një subjekt nuk kanë kthyer përgjigje”, ka deklaruar Bulleshkaj, derisa ka rekomanduar që të aprovohet mbetja e radhitjes origjinale të kandidatëve ashtu siç kanë kërkuar subjektet politike.

“Aty ku ka numra rendorë që mungojnë emrat e kandidatëve, ato hapësira të hijezohen, shënjohen, për të evidentuar vendosjen gabim të votave të kandidatëve”, është shprehur më tutje drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike.

Një propozim të tillë nuk e pranoi anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani. Ai ka thënë se me këtë do të komplikohen procesi i ditës së zgjedhjeve, votimi dhe numërimi i votave.

“Në qoftë se ne sot e miratojmë këtë propozim, këtë rekomandim, pra jo të rirendimit nga numri një e deri në numrin të cilin e ka ai subjekt politik për kandidat, besoj që vërtet do ta kemi një ditë të zgjedhjeve vështirë të menaxhueshme, sidomos pas mbylljes së vendvotimeve. Pas mbylljes së vendvotimeve nëpër secilën klasë, nëpër secilin këshill të vendvotimit, do të ketë probleme në numrin e votave të kandidatëve për shkak të këtyre hapësirave që po lihen”, deklaroi Elshani.

Më tutje ai tërhoqi paralele me subjektet politike të cilat kanë më pak se 110 kandidatë, e të cilët i kanë renditur ata deri në numrin e kandidatëve që e kanë gjithsej, e të cilëve nuk u është lejuar të zgjedhin numrin që e dëshirojnë.

“Janë standarde të dyfishta me subjektet që janë certifikuar javën e kaluar, ne kemi subjekte të komuniteteve që kanë kandiduar më pak kandidatë të cilët janë të renditur nga numri një deri në numrin 40 apo deri në numrin 50. Asnjëri nga këto subjekte politike nuk e ka pasur mundësinë që të zgjedhë një numër tjetër”.

Për ndryshimin e renditjes së kandidatëve në listat e subjekteve politike, të cilave nuk u janë certifikuar disa prej tyre, ishte edhe anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti.

“Uroj që Sekretariati tash e tutje veç të punojë me informimin publik sepse është e vërtetë që do të ketë probleme. Subjekte politike kanë vendosë me i lanë zbraztë, por unë mendoj që gjithqysh kishte me qenë më mirë me u renditë”, ka thënë Hamiti.

Debatin e zhvilluar lidhur me vendimin e subjekteve politike që të mos e ndryshojnë renditjen e kandidatëve, Alim Rama i Vetëvendosjes e konsideroi tendencioz. Sipas Ramës, votat për kandidatë në ditën e zgjedhjeve janë opsionale, andaj edhe do të qëndrojnë pas listës së dorëzuar në fillim.

“Çdo ndryshim dhe çdo intervenim për me problematizu këtë çështje është tendencioz dhe vetëm me qëllim të krijimit të hutimit të votuesve”, ka thënë ai.

Kryetarja e Komisioni Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, në anën tjetër, ka thënë se nuk mund të kërkojnë nga subjektet politike që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve.

“Aktgjykimi i Supremes na ndalon t’i zëvendësojmë e edhe t’i rirendisim. Ato lista tashmë, edhe në qoftë se renditen, ndoshta nuk munden me e përmbush përsëri kuotën dhe i bie që ne nuk mundemi me ndërhy”, ka thënë ajo.

Komisioni Qendror Zgjedhor ktheu në garë dy kandidatët e pacertifikuar të Partia e Ashkalinjve për Integrim. Të njëjtët kanë qenë të dënuar, por që afati i caktuar prej 3 vjetësh u përfundon para datës së zgjedhjeve.

Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me dy deputetë të tjerë, kanë mbetur përfundimisht jashtë garës zgjedhore të 14 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila vlerësoi se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me moscertifikimin e kandidaturës së Kurtit është i drejtë dhe se i njëjti nuk duhet të hidhet poshtë.

Për dallim nga Vetëvendosje dhe AAK-ja, ankesat e të cilave janë pranuar pjesërisht, e të cilave u janë kthyer në listë disa nga kandidatët e pacertifikuar, Supremja ka hedhur poshtë ankesat e tri subjekteve politike. Në mesin e tyre edhe atë të Nismës Socialdemokrate, së cilës nga lista prej 110 kandidatëve për deputetë i janë larguar 12.

Komisioni Qendror Zgjedhor, planifikon që më 1 shkurt ta bëjë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime, derisa dy ditë më pas zyrtarisht do të fillojë edhe fushata zgjedhore e cila do të zgjasë 10 ditë.