Gjykata Supreme ka konfirmuar se moscertifikimi i kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, fillimisht nga KQZ-ja e pastaj edhe nga PZAP-ja, për zgjedhjet e 14 shkurtit, është i drejtë.
Në vendimin e publikuar pasditen e së premtes, Supremja e ka hedhur poshtë pjesërisht ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ishte ankuar ndaj vendimit të PZAP-së për largimin e Kurtit dhe katër kandidatëve të tjerë nga lista.
Në arsyetimin e Supremes thuhet se janë të detyruar që të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndonëse, sipas Supremes, për praktikë gjithherë kanë pasur që të konsiderojnë dënimet plotësuese si kufizim të vetëm të së drejtës për t’u zgjedhur.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, përshtatshmëria e kandidatit do të duhej të vlerësohej nga rrethanat nëse të njëjtit i është shqiptuar dënimi plotësues, mirëpo, duke qenë se Gjykata Kushtetuese është autoriteti që ka juridiksion për interpretim përfundimtar të normave kushtetuese, përfundimi meritor i çështjes në fjalë është mbështetur në interpretimin dhe efektin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Përveç Kurtit, Supremja ka bërë të ditur se në garën zgjedhore nuk mund të marrin pjesë as Albulena Haxhiu e Bajram Mavriqi. Nga kandidatët e larguar të Vetëvendosjes, Supremja ka certifikuar Liburn Aliun e Labinotë Demi-Murtezin. Sipas Gjykatës, PZAP-ja ka gabuar në llogaritjen e afatit prej 3 vjetëve.
“Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, duke certifikuar si kandidatë për deputetë Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi që është vlerësuar se PZAP-ja ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3-vjeçar të përcaktuar në nenin 29, paragrafi 1, pika q) e LZP, duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve më datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3-vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve në kuptim të dispozitës së theksuar”.
Pas vendimit të Supremes, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka paralajmëruar ankesë.
“Nuk e kam parë atë vendim, kur të na vjen në zyrën e Vetëvendosjes e trajtojmë, e analizojmë edhe shohim çfarë hapash do të ndërmarrim më tutje, ku do të mund të ankohemi nëse është kështu siç po paralajmërohet”, ka thënë ai.
Me arsyetimin e njëjtë se PZAP-ja ka llogaritur gabimisht afatin prej 3 vjetësh, Supremja ka miratuar pjesërisht edhe ankesën e AAK-së
Kësisoj, nga katër kandidatët për të cilët është ankuar, Supremja ka kthyer në garë vetëm Shemsedin Dreshajn.
“Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se afati 3-vjeçar duhet të llogaritet duke iu referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç, e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”.
Për dallim nga Vetëvendosje dhe AAK-ja, ankesat e të cilave janë pranuar pjesërisht, Supremja ka hedhur poshtë ankesat e tri subjekteve politike. Në mesin e tyre edhe atë të Nismës Socialdemokrate, së cilës nga lista prej 110 kandidatëve për deputetë i janë larguar 12.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.