Interesim i madh i qytetarëve nga Kosova është vërejtur në Qendrën e vaksinimit kundër COVID-19 në Bujanoc. Madje për t’u vaksinuar qytetarë të shumtë ia kanë mësyrë kësaj komune në mënyrë të organizuar, duke shkuar me autobusë.
Mediat serbe që nga e mërkura kanë raportuar se në Qendrën Shëndetësore në Bujanoc janë duke u vaksinuar edhe shqiptarë nga Kosova. Sipas tyre, ata kanë arritur në Bujanoc të enjten me dhjetëra autobusë nga Ranillugu, Gjilani, Kamenica e zonat e tjera përreth, e të premten kanë shkuar rreth 300 persona.
Por një gjë të tillë nuk kanë mundur ta konfirmonin disa mjekë që ka kontaktuar KOHA në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, e që kanë folur me kusht anonimiteti.
“Nuk e besoj këtë, por në vaksinimin e banorëve nga Kosova ne nuk kemi qenë të kyçur, këtë e kanë kryer ekipet nga sistemi paralel i Kosovës. Në shtëpinë e shëndetit në Bujanoc e kane shfrytëzuar vetëm infrastrukturën. Unë nuk kam vërejt shqiptarë tek ata që kanë pritur për vaksinim”, ka thënë një mjek në Bujanoc.
KOHA po ashtu ka biseduar me kompanitë e autobusëve dhe ata kanë thënë se kanë dërguar qytetarë nga komunat që janë të banuara me shumicë serbe.
Derisa nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se qytetarët nuk duhet të bien pre e dezinformatave të ndryshme që e dëmtojnë fushatën e vaksinimit kundër COVID.
“Ministria e Shëndetësisë në Kosovë është përgjegjëse për vaksinimin e qytetarëve të saj në territorin e Republikës së Kosovës. MSh ka bërë të ditur se vaksinimi në Kosovë do të fillojë në muajin shkurt, ndërsa vaksinat do të jenë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim. MSh kërkon nga qytetarët që të përcjellin informacionet dhe këshillat e institucioneve të Kosovës dhe të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme të cilat e dëmtojnë fushatën e vaksinimit anti-Covid në Kosovë që do të fillojë në vendin tonë, sipas Planit për imunizim kundër COVID-19, të përgatitur nga MSH, IKSHPK dhe ekspertët të fushës përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, një sasi dozash të vaksinës anti-Covid u shpërndanë nga Serbia në disa komuna veriore të Kosovës.
Pas më shumë se 1 muaji, Inspektorati farmaceutik mori një aksion lidhur me vaksinat e ardhura nga ky shtet e që dyshohet se hynë ilegalisht në Kosovë. Por, sipas tyre, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpc nuk është gjendur asgjë.
“Pas marrjes se informatave inspektorati ka shkuar aty dhe ka inspektuar qendrën e mjekësisë ne Shterpc, por qe nuk është gjetur asnjë vaksine aty”, ka thënë Shaban Osmanaj, kryeinspektor farmaceutik.
Kosova ende nuk ka filluar vaksinimin kundër COVID-19, derisa disa herë është paralajmëruar se vaksinimi do të fillojë në muajin shkurt dhe se kanë siguruar më shumë se 1 milion doza. Kjo megjithatë nuk është konfirmuar nga kompanitë prodhuese.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë ka thënë se është i gatshëm që të sjellë disa doza të vaksinës kundër COVID-it edhe për shqiptarët e Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.