Provat që ka dorëzuar Prokuroria Speciale në gjykatë për aktakuzën për korrupsion, të njohur si “veteranët e rrejshëm”, kanë qenë të pamjaftueshme për shkallën e parë të gjykatës për të ngarkuar 12 të akuzuarit, ish-anëtarë të Komisionit për verifikimin e veteranëve për “fryrje të listave”.
Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashar janë shpallur të pafajshëm.
Dëmi i pretenduar i kësaj aktakuze ishte mbi 88 milionë euro, të cilat ishin shkuar për pagesa për ata që Prokuroria Speciale i kishte cilësuar “veteranë të rrejshëm”.
Pas shpalljes së vendimit, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj, ka sqaruar se përveç një rasti për të cilin ka aktgjykim të formës së prerë se është bërë falsifikim i dokumentacionit, për të gjitha 19.500 rastet e tjera që i ka paraqitur Prokuroria Speciale nuk është vërtetuar se ka pasur shkelje. Për të gjitha rastet e dyshuara, sipas saj, ka pasur proces hetimor dhe gjyqësor në nivelin rajonal.
“Sa u përket 19.500 aplikacioneve, të cilat nga PSRK-ja pretendohet se janë të kundërligjshme dhe në bazë të tyre ka përfitues të kundërligjshëm, gjykata nuk e ka pasur objekt shqyrtimi që të vlerësojë nëse këta përfitues janë të ligjshëm apo të kundërligjshëm, pasi që PSRK-ja ka ndarë hetimet dhe të gjithë aplikantët për të cilët pretendohet se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme që nga viti 2017, janë në kompetencë të hetimit të prokurorisë regjionale dhe sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve dhe Mirëqenies Sociale deri më tani kemi vetëm një aktgjykim të formës së prerë, i cili ka të bëjë me falsifikim të dokumenteve, përkatësisht me falsifikim të certifikatës së veteranit”, ka deklaruar Kukaj-Mekaj.
Pas shpalljes së vendimit, ish-kryeministri Agim Çeku ka thënë se e ka pritur që drejtësia për të do të vendosë në këtë mënyrë.
“Aktgjykimi lirues për mua dhe anëtarët e tjerë të Komisionit për verifikimin e veteranëve është aktgjykim i drejtë, i pritur. Gjatë tërë kohës, që nga fillimi e kam ndier veten të pafajshëm, këtë e dëshmuam gjatë këtij procesi dhe ishte një vendim i drejtë dhe i pritur”, ka thënë Çeku.
Kandidati për deputet të AAK-së, Shkumbin Demalijaj, ka thënë se ai dhe bashkëluftëtarët e tij janë linçuar përmes këtij procesi.
“Pafajësia ime ka qenë e dëshmuar nga vetë unë për shkak se unë i njoh procedurat ligjore, jam tri legjislatura deputet i Kuvendit dhe fillimisht prej fillimit ju kam tregu mediave dhe të gjithë qytetarëve se unë nuk bëj shkelje të ligjit”, ka shtuar ai.
Ngritja e aktakuzës, e njohur si “veteranët e rrejshëm” ishte shoqëruar me probleme e polemika të shumta.
Prokurori special, Elez Blakaj, ishte dorëhequr, me arsyetimin për presion në këtë proces, por kishte dorëzuar një “draft-aktakuzë” për këtë rast. Si emra të përfshirë në procesin e ngritjes së kësaj aktakuze kishte përmendur ish-shefat e tij, atëkohë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, kolegun e tij të atëhershëm, tash kryeprokuror në Prokurori Speciale, Blerim Isufaj, e kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.