“Po bëhet shumë zhurmë pa të drejtë”.
Kjo ka qenë përgjigjja e kreut të Qeverisë, kur është pyetur se çfarë ka ndodhur me vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i shtetit.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka qenë i rezervuar në dhënien e detajeve për këtë rast, duke thënë se pyetjet janë duke u bërë në vendin e gabuar.
“Mos e lidhni këtë çështje me këtë qeveri, është një rast kriminal që ka ndodhë dhe jemi duke i shkuar deri në fund, por nuk më takon mua që të flas në detaje për hetimet e këtij procesi”, ka deklaruar Hoti.
Mosdhënien e informatave për vjedhjen që ka ndodhur në Thesar, e ka arsyetuar ministrja Hykmete Bajrami.
“Tani hetimet janë në një fazë të avancume por siç e tha kryeministri kemi kërkesë nga prokuroria që të mos japim detaje sepse po dëmtohet rasti në këtë fazë të hetimeve”, ka thënë Bajrami.
Këto deklarata Hoti e Bajrami i bënë në konferencën e përbashkët për media, ku shpalosën vendimin për ndarjen e 222 milionë e 400 mijë eurove në kuadër të masave për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike për këtë vit.
Në kuadër të tyre, 50 milionë euro për shëndetësi, 21 milionë për ndërmarrjet publike, 13.5 milionë për rritjen e pensioneve që janë më të ulëta se 100 euro, 11 milionë për shtesat për punëtorët në sektorët që janë marrë me menaxhimin e pandemisë, 10 milionë për personat që kanë humbur punën shkaku i pandemisë, 7.9 milionë për komunat e 3 milionë për gastronominë.
Ndarjen e këtyre mjeteve, kryeministri e ministrja në detyrë kanë mohuar se janë duke e bërë për fushatë, duke thënë se janë duke i kryer detyrat që kanë.
“Ne do t`i kryejmë të gjitha detyrat kushtetuese e ligjore. Është buxheti i vitit 2021, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përfshirë edhe planin për rimëkëmbje ekonomike dhe do të fillojmë me zbatimin e këtij buxheti pikë për pikë”, ka pohuar Hoti.
“Nuk është program për fushatën elektorale janë taksa të buxhetit të Kosovës, e kem dorëzu në Kuvend më 30 tetor atëherë kur ishim në gjendje stabile”, ka shtuar Bajrami.
I pyetur për mosrespektimin e masave anti-Covid nga fushata e nisur para kohe, kryeministri Hoti ka thënë se tubimet që janë duke i mbajtur janë me struktura të partisë, e të cilat i ka krahasuar edhe me konferencën e mbajtur.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.