Qindra hektarë tokë të përmbytura, Hoti paralajmëron kompensim
Qindra hektarë tokë vazhdojnë të mbesin nën ujë, pas vërshimeve të ditëve të fundit në Kosovë.
Zonat përreth dhe në Komunën e Vushtrrisë, e shumë shtëpi banimi vazhdojnë të jenë të pabanueshme pas përmbytjeve, të konsideruara si më të rëndat që nga viti 1979.
Komuna, e cila dy ditë më parë shpalli gjendje emergjente civile shkaku i vërshimeve, këtë të mërkurë është vizituar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Hoti gjatë vizitës së tij ka bërë të ditur se do të bëhet vlerësimi i dëmeve dhe krijimi i një fondi për kompensimin e tyre.
“Nesër kam ftuar takim me kryetarët e komunave për të lëvizur me komisionet dhe për të vlerësuar dëmet, përmes një fondi që t’u ndalim në ndihmë familjeve në nevojë”, ka thënë Hoti.
E të martën, Xhafer Tahiri kryetar i Vushtrrisë, e ka quajtur më të vështirën për këtë komunë prej vitit 1979.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm që uji nuk ndalet, por do tentojmë të dalim nga kjo situatë”, tha ai.
Komuna e Kamenicës këtë të mërkurë gjithashtu ka shpallur gjendje emergjente pas situatës së krijuar nga vërshimet.
Kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati e ka obliguar Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim që të koordinojë dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për evidentimin e dëmeve dhe sanimin e tyre, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera relevante në komunë.
Edhe Gjilani ka kërkuar nga qytetarët e prekur nga vërshimet që t’i paraqesin kërkesat për vlerësimin e dëmeve.
Ndërkohë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur alarmante situatën në Kosovë, pas vërshimeve që erdhën si pasojë e reshjeve të dendura të shiut e borës.
Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, shiu pos të tjerash ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20-vjeçare. Ai ka thënë se do të insistojnë që prokuroria menjëherë t’i hapë hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikëqyrësit, por edhe për politikanët që e kanë marrë vendimin për tenderët dhe për konkurset.
“Por shiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare. Asfaltit me të cilin partitë e vjetra duan të marrin vota, u rishfaq si të ishte një qilim i lagur. Rrugët u prishën prej shembjeve të dheut, e të gjithë pamë se shtresa e asfaltit ishte e hollë dhe mungonin bazamentet siç i kërkon standardi inxhinierik. Pyjet janë prerë pa kontroll e pa plan. Brigjet e lumenjve janë rrënuar nga eksploatimet e egra të zhavorit. Gurthyesit pranë rrugëve të asfaltuara kanë eliminuar mbrojtjen që ofrojnë kodrinat për shtigjet qarkulluese”, ka thënë lideri i VV-së, Albin Kurti.
Ndaj Kurtit ka reaguar vetë Hoti. Ai ka paralajmëruar se në fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit nuk do ta kursejë askënd.
E Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur populizëm reagimin e Kurtit.
“Vetëm njoftojeni z. Kurtin se vërshimet janë duke ndodhur që para tri ditëve edhe për vet faktin se po reagon me vonesë e po e përdor nënën Ferdonije në kohë fushate, tregon se Albini në mungesë të platformës politike është duke u marrë prapë me popullizma. Edhe mos të harroj, U.D. e Presidentes që z. Kurti e ka vendosur në atë pozitë, ajo ka autoritet kushtetues për t'i mobilizuar institucionet, por, ajo ka vendosur që të udhëtojë në Bruksel fare pa nevojë”, ka thënë Avni Bytyçi, zëdhënës i PDK-së.
Shkaku i reshjeve, në tri ditët e fundit është rritur niveli i ujit në dy liqene, atë të Badovcit edhe Batllavës. Në mbi 3 metra ka shkuar niveli i ujit në këto dy liqene.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.