Si pasojë e dëmeve nga reshjet e mëdha të shiut, që kanë nisur që nga java e kaluar, shumë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre tashmë të zhytura në ujë. Shiu i vrullshëm e i pandërprerë ka lënë shumë rrugë pa dalje dhe ura pa funksion. Zarar ka bërë edhe nëpër ara, ku ka dëmtuar mijëra hektarë me të mbjella të grurit. Rritja e shtratit të lumit në fshatin Grabovc të Obiliqit e ka zhytur në ujë rreth gjysmë kilometri asfaltin, duke pamundësuar qarkullimin e njerëzve dhe veturave në atë anë. Pak më tej në këtë fshat, dëme të mëdha i janë bërë edhe një restoranti, ku niveli i lartë i ujit ia ka rrënuar pothuajse tërësisht oborrin. Bashkë me dëmet që i janë bërë edhe brenda restorantit, familjari i pronarit, Hajrullah Mjeku thotë se vlera arrin rreth 10 mijë euro. Por, ai ka treguar se përveç dëmeve materiale, dëmtime pati edhe në peshqit që i kultivonin.
“Një fatkeqësi më e madhe është që këtu afër i kemi pasur bazenet, ku kanë qenë 7-8 lloje të peshqve, me të cilët i kemi shërbyer njerëzit në restorant. Por tash për momentin i ka rrëmbyer uji”, ka thënë ai.
Shiu ka shkaktuar dëmtime të mëdha edhe në Komunën e Fushë-Kosovës. Shumë vetura kanë mbetur në ujë përderisa qytetarët janë evakuuar me barka prej vendbanimeve të tyre. Me gjithë këto dëme, Halit Sfarça, banor i Bardhit të Vogël të kësaj komune thotë se nuk ka pasur kurrfarë reagimi nga institucionet.
“Mua më ka bo dëm, më ka hi uji prej shaktit në banjo dhe kuzhinë. Edhe nuk ka ardhë kurrkush me intervenu, hiq”, ka deklaruar ai.
E kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, pas një vizite që bëri në fshatin Dobroshevc të Drenasit, i cili ka mbetur pa qasje në infrastrukturë për shkak të dëmtimit të urës, ka thënë se do t’u dilet në ndihmë familjeve që janë dëmtuar nga vërshimet.
“Do të themelojmë një fond emergjent për t’u dalë në ndihmë familjeve që kanë pasur dëme në shtëpi, që janë në kushte të vështira të jetesës. Besoj që sa të evitojmë këto situata më emergjente me shtabet lokale, do të bëjmë edhe vlerësimin e dëmeve dhe të identifikojmë ato familje që duhet t’u dalim në ndihmë si shtet”, ka deklaruar Hoti.
Si pasojë e vërshimeve, shumë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ku vetëm në Komunën e Drenasit është raportuar për rreth 50 persona.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.