Video

Druhet për përkeqësim të gjendjes nga vërshimet, më i rrezikuari Dukagjini

Gjendja me vërshimet, ndonëse është vlerësuar si më e qetë të shtunën, mund të përkeqësohet në ditët në vijim, ka paralajmëruar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK).

Uji që ka vërshuar bodrume, toka bujqësore e ka dëmtuar rrugë në komunat e Gjakovës, Malishevës, Prizrenit, Suharekës, Shtimes, Drenasit ka rënë tashmë në një nivel më të ulët. Por, pompat për heqjen e ujit nga bodrumet e tyre ka gjasa t’i përdorin përsëri qytetarët e këtyre komunave, pasi që, siç ka shkruar IHK-ja, reshjet e vazhdueshme mund të shkaktojnë përkeqësim të situatës.

“Sipas parashikimeve tona, pritet që përsëri ditëve në vazhdim të ketë reshje në tërë vendin, por më të theksuara përsëri në Dukagjin, prandaj këto edhe më tepër do ta rëndojnë situatën, sidomos me temperaturat pozitive të cilat ndikojnë në shkrirjen e borës së rënë së fundi. Ne jemi duke e përcjellë në vazhdimësi situatën meteorologjike dhe hidrologjike përmes rrjeteve tona monitoruese, duke marrë të dhëna në kohë reale të reshjeve dhe të niveleve të ujit nëpër lumenjtë tanë”, shkruhet në njoftimin e këtij institucioni.

Të qetë në një deklaratë për KOHËN, e ka vlerësuar situatën të shtunën zëdhënësi në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Nehat Koqinaj.

“Gjendja sipas raporteve të fundit është në qetësim e sipër, sepse të reshurat kanë pushuar pjesërisht dhe niveli në përroskat apo ujëmbledhësit të cilët kanë shkaktuar probleme është në rënie. Sidomos në rajonin e Prizrenit, në Gjakovë, Rahovec, Suharekë e Malishevë, është në qetësim dhe përmirësim e sipër”, ka thënë ai.

Në Komunën e Malishevës janë dëmtuar bodrumet, stallat e dhomat e shtëpive afër lumit Mirusha. Një rrugë në afërsi të lumit Mirusha ka vazhduar të jetë e mbuluar nga uji, dhe si pasojë ka qenë e pakalueshme.

“Kah ora 10:00 ka ardhur deri këtu. Në orën 7:00 e ka bllokuar rrugën. Pastaj e kam thirrur vëllanë dhe i kemi hequr lopët. Për t'i shpëtuar lopët së pari. Deri kur e larguam gjënë e gjallë, ikëm andej e këndej, i ke parë se si janë bërë lëmsh gjërat”, ka thënë Metush Thaçi, banor i fshatit Mirushë, që jeton më pak se gjysmë kilometri larg rrugës së vërshuar.

Në lagjen e tij nuk ka dalë emergjenca në ditën kritike të vërshimeve. Mirëpo për këtë nuk ka dashur të komentojë Hafir Rexha, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, me arsyetimin se nuk i ka parë regjistrat e thirrjeve, që do t’ia mundësonin të shihte nëse banorët e lagjes së Thaçit kanë telefonuar në emergjencë apo polici.

Po në këtë komunë është parë copë-copë asfalti që lidh fshatin Rud të Malishevës me Sferkën e Klinës. Ndërkohë, në Komunën e Gjakovës janë evakuuar 60 persona nga Forcat e Sigurisë e Kosovës, ndërsa në Komunën e Shtërpcës 30 familje kanë qenë të bllokuara nga rrëshqitja e përsëritur e dheut.