Para institucioneve të vendit, sigurimin e një pjese të vaksinave për Kosovën do ta bëjë Shqipëria.
Nga 500 mijë copa sa kanë blerë gjithsej, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se një pjesë të tyre do t’ia dhurojë Kosovës për vaksinimin e stafit mjekësor.
“Kosovës do t’ia dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit COVID të Prishtinës, në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit ta nisin vaksinimin në të njëjtën kohë me heronjtë tanë në Tiranë”, ka thënë Rama.
Rama, në një fjalim mesditën e së premtes, e ka kritikuar Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Ballkanit.
“Si njeri jam ndier i indinjuar dhe si evropian i turpëruar për të mos lejuar që shqiptarët të ndihen të përjashtuar nga mundësia që të mbrohen njëkohësisht me evropianët e tjerë në këtë luftë botërore me rrezikun e vdekjes”, është shprehur ai.
Sipas Ramës, 10 mijë e 750 dozat e para do të arrijnë në fund të janarit, 30 mijë e 250 në shkurt, derisa të tjerat muajve në vijim sipas planifikimeve për vaksinim.
Këto vaksina nuk do të jenë të parat që do të hyjnë në Kosovë. Javë më parë, ndonëse në mënyrë ilegale, vaksinimin e qytetarëve në komunat në veri e ka bërë Serbia.
Një gjë e tillë, sipas ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati, është për keqardhje derisa ky i fundit ka kritikuar mosreagimin e institucioneve të Kosovës.
“...Nuk do të duhej dhe nuk do të guxonin që ata të hyjnë në territorin e Kosovës pa marrë leje, pa marrë parasysh a është mjekësi apo është çështje tjetër humanitare, pa marrë leje nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Vaksinimi i qytetarëve të Shqipërisë do të jetë falas, derisa fillimisht, krahas punëtorëve shëndetësorë, do të vaksinohen mësuesit e policët, si dhe personat mbi 75 vjeç.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.