Derisa janë në pritje të shpalljes së zgjedhjeve, partitë politike kanë filluar të definojnë mënyrën se si do t`i hyjnë garës.
Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje synon që të arrijë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, gatishmërinë për bashkëpunim me PDK-në e ka arsyetuar me interesin e vendit.
“Ne kemi filluar negociatat, jemi takuar, nuk kemi asnjë ofertë konkrete. Tash i mbetet PDK të bëjë hapin e saj në drejtim nëse është e gatshëm që të bashkojmë këto forca në drejtim të asaj që thashë”, ka deklaruar Limaj.
E arritjen e koalicioneve me partitë politike, AAK-ja e ka lënë pas zgjedhjeve. Ramush Haradinaj ka thënë se në këto zgjedhje do të garojnë të vetme.
“AAK-ja respekton të gjitha subjektet politike në këto zgjedhje. Kemi deklaruar se nuk kemi vija të kuqe pas zgjedhjeve por do të shkojmë të vetëm në këto zgjedhje, pra si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Këto komente, Limaj e Haradinaj i bënë pas vizitës në Organizatën e Veteranëve të Luftës, një ditë para shënimit të ditës së tyre.
Pas dy takimeve të ndara, Limaj e Haradinaj, me theks të veçantë ua uruan këtë ditë pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët janë arrestuar nga Gjykata Speciale.
Për dallim nga kreu i Nismës e AAK-së, lidhur me garën zgjedhore nuk ka pranuar të deklarohet kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
“Ju kisha lut që për hire të nderimit dhe respektit për punën e mjekëve infermiereve dhe punëtoreve shëndetësor që ti fokusojmë pyetjet tek kjo temë sepse do të kemi mundësi për të gjitha temat politike të i flasim në një rast tjetër”, ka pohuar Osmani.
Të hënën është bërë një javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli jolegjitime votimin e Qeverisë Hoti. Por aktgjykimi i plotë i gjykatës nuk është publikuar ende. Publikimi i tij do t’i hapte rrugë u.d së presidentes Vjosa Osmani për të shpallur datën e zgjedhjeve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.