“Fytyrat publike të vitit 2020” i ka quajtur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministrin Armend Zemaj dhe drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadanin.
Rreth 6 muaj që nga zgjedhja në krye të Qeverisë, kryeministri Hoti për herë të parë ka takuar përfaqësuesit e klinikave të SHSKUK-së. Së bashku me ministrin e Shëndetësisë dhe udhëheqësin e SHSKUK-së, me këtë rast, renditën sukseset e vitit 2020, duke mos lënë anash as premtimet për të ardhmen.
“Kemi filluar, në fakt është përfunduar hartimi i spitalit të Podujevës dhe do të vazhdojmë pastaj me implementimin e këtij projekti në vitet në vazhdim”, ka thënë Valbon Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të SHSKUK-së.
“Edhe unë si ministër e kam pasur prioritet mbrojtjen e punës tuaj pavarësisht implikimeve. Unë jam falënderues dhe do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim”, ka thënë ministri në detyrë, Armend Zemaj.
Derisa kryeministri falënderoi gjithë stafin e SHSKUK-së, është shprehur i bindur se pandemia do të zhduket brenda tre apo katër muajsh.
“Tash jemi para një situate të re, kur vaksina po shpërndahet. Kemi bërë përpjekje që të jemi në mesin e vendeve të para që marrin vaksinën, kemi një plan për mënyrën se si do të shkojë vaksinimi te ne, është krijuar një disiplinë e mirë te qytetarët për punën e masave. Na duhet edhe për 3-4 muajt e ardhshëm vëmendje për të dalë nga kjo pandemi”, është deklaruar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Në anën tjetër, Naser Ramadani tha në emër të IKSHPK-së se është bërë punë e madhe nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë.
“IKSHPK-ja dhe të gjitha institucionet shëndetësore kanë punuar që nga dita e parë ngushtë dhe së bashku kemi arritur këto rezultate inkurajuese, u shpreh ngushëllime familjeve që kanë humbur të afërmit dhe ngushëllime për punëtorët shëndetësorë, por në çdo kohë të tilla janë të pashmangshme viktimat”, ka thënë kreu i IKSHPK-së.
E, pavarësisht vështirësive me të cilat janë përballur përgjatë 10 muajsh prej kur në Kosovë u paraqitën rastet e para me koronavirus, udhëheqësit e klinikave kanë thënë se secilit pacient që ka kërkuar shërbime i është ofruar ndihma e nevojshme.
Vizita e tyre erdhi në kohën kur vendi po bëhet gati për zgjedhjet e reja, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e deputetit Etem Arifi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.