Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili urdhëron shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, janë krijuar paqartësi rreth buxhetit të vitit të ardhshëm.
Qeveria, duke e vlerësuar të rëndësishëm këtë projektligj, ka kërkuar miratimin e tij para se Kuvendi të shpërndahet, kurse disa nga partitë politike kanë mendime të ndryshme.
"Përpara kemi punë të rëndësishme edhe buxhetin. Bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti për vitin 2021. Sot unë kam pasur një takim edhe me komunitetin e biznesit dhe odat e ndryshme ekonomike për të diskutuar masat që i kemi në votim tani më në qeveri dhe ka qenë edhe kërkesë e tyre që buxheti të miratohet sa më parë, duke qenë se pakoja e rimëkëmbjes ekonomike është e lidhur me këtë buxhet dhe bashkë me këtë buxhet edhe marrëveshjet ndërkombëtare", tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Për ta miratuar buxhetin, Arban Abrashi nga LDK-ja thotë se partitë duhet të shfrytëzojnë kohën që ka mbetur deri në publikimin e aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja.
“Kjo ka rëndësi dhe peshë të madhe për secilën familje në Kosovë, sepse ky buxhet i vitit të ardhshëm është i lidhur edhe me ligjet për rimëkëmbje, pagat, sistemin social dhe pensionet. Gjithsesi nëse na duhet si shtet edhe me blerjen e vaksinave. Prandaj, ekziston një urgjencë që të veprohet shpejt që ligji i buxhetit të kalojë në mënyrë që pastaj të hyjmë edhe në proces zgjedhor”, tha Abrashi.
Por, Mimoza Kusari – Lila nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje vlerëson se në vend fillimisht të mbahen zgjedhjet e pastaj qeveria e re ta miratojë buxhetin.
“Kjo qeveri është e jashtëligjshme. Kjo qeveri kurrë nuk ka pasur legjitimitet të vendosë apo të sjellë dokumente në Kuvend dhe tash për një projektligj, i cili nuk ka kaluar as në lexim të parë në Komisionin për buxhet dhe transfere, nuk mundemi ne të deklarohemi se do të bëjmë hapa për të miratuar buxhetin”, deklaroi Kusari-Lila.
Rreth 7 milionë eurot që nevojiten për organizimin e zgjedhjeve, sipas Kusari – Lilës, Ministria e Financave mund t’i ndajë prej buxhetit të vitit aktual, pa pasur nevojë për miratim të buxhetit 2021.
Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit fiskal 2020 nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.