8 persona kanë vdekur në Kosovë si pasojë e COVID-19 në 24 orët e fundit, derisa janë regjistruar edhe 345 raste të reja.
Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në këtë 24-orësh janë shëruar edhe 436 persona.
E ulja e numrit të të hospitalizuarve gjatë ditëve të fundit në klinikat dhe spitalet e SHSKUK-së ka bërë që të mos ketë telashe me mungesën e oksigjenit.
Nga Klinika e Pulmologjisë, pulmologu Vllaznim Luzha ka thënë se kanë oksigjen të mjaftueshëm dhe se gjendja, tani për tani, është stabile.
"Momentalisht është shumë stabile dhe ka oksigjen të mjaftueshëm, do të thotë nuk është për t’u brengosur edhe pacientët janë stabilë. Për momentin do të thotë që furnizimi me barna është i kënaqshëm dhe do të thotë që gjithë ato çka u nevojiten pacientëve i kanë në klinikën tonë”, tha Vllazim Luzha, Pulmolog në Klinikën e Pulmologjisë.
Ndërsa, Shërbimi Spitalor i Kosovës, përmes një komunikate për media të premten, ka kërkuar nga institucionet publike të Kosovës që të asistojnë në përmbushjen e nevojave shëndetësore për furnizimin me oksigjen.
Deri më tani, numri total i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 48 mijë e 682, ndërsa ai i të shëruarve është 36 mijë e 226.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.