Sapo në sallën e Kuvendit hyri zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, për të cilin kishin thënë se nuk e duan në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje filloi protestën e vet.
Pas këtij veprimi, kryesuesja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, kërkoi që të shkohet me një pauzë 10-minutëshe. Por, edhe pas kthimit, deputetët e Vetëvendosjes vazhduan njëjtë dhe kryesuesja e Kuvendit njoftoi se do të shkohej në një pauzë gjysmëorëshe.
E këtë pauzë, shefat e grupeve parlamentare të tri partive VV, LDK e PDK e shfrytëzuan për organizimin e konferencave për media. Liburn Aliu i Vetëvendosjes tha se nuk do të pranojnë assesi të qëndrojnë në një sallë ku do të ishte i pranishëm edhe Selmanaj, kurse pati një porosi edhe për kryeministrin Avdullah Hoti, i cili pritej të raportonte më pas në një interpelancë për çështjen e Ujmanit.
“Kuvendi duhet të vazhdojë punën. Hoti duhet të vijë dhe të ballafaqohet për Ujmanin dhe duhet të mos fshihet pas Driton Selmanajt dhe situatës së krijuar me të”, tha Aliu.
Për këtë çështje ne jemi deklaruar se ai është i papranueshëm, sepse Selmanaj e ka quajtur të ezauruar çështjen e personave të pagjetur.
Kurse Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se veprimet e Vetëvendosjes kishin, siç u shpreh, potencial dhune.
“Nëse kanë vërejtje për ndonjërin nga anëtarët e kabinetit të Qeverisë, qofshin ata zv/kryeministra apo ministra, Kushtetuta e Republikës i parasheh mekanizmat demokratikë, për veprim e mekanizmi demokratik i veprimit është mocioni i mosbesimit, qoftë ai mocion i mosbesimit ndaj Qeverisë në tërësi, apo ndaj ndonjë individi në veçanti”, tha Gashi.
E Partia Demokratike e Kosovës pati akuza ndaj pushtetit, por edhe opozitës, pjesë e së cilës është edhe vetë.
“Sot kemi një shumicë parlamentare e cila asnjëherë nuk arrin t'i ketë më shumë se 35 deputetë në Kuvend dhe po e mban peng vendin. Në anën tjetër, edhe ne si opozitë nuk po arrijmë t'i kemi numrat që ta çojmë vendin në zgjedhje. Pra, është momenti i duhur, është koha që ky kuvend të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Tahiri.
Edhe pas kthimit në Kuvend, për të vazhduar me seancën e interpelancës së kryeministrit Hoti për çështjen e liqenit të Ujmanit, punimet nuk u vazhduan shkaku i mungesës së kuorumit dhe protestës së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Do të bisedojmë në mbledhjen e radhës së Kryesisë së Kuvendit dhe ju njoftojmë sipas vendimit të Kryesisë për vazhdimin e kësaj seance”, tha Nagavci.
Shkaku i mungesës së kuorumit, në seancën e së premtes nuk u arrit vendimmarrje për asnjë nga pikat e papërfunduara të seancave të 7 gushtit e deri më 27 nëntor, përfshirë tri marrëveshje ndërkombëtare si dhe Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Në seancë, megjithatë, arriti që betimin e deputetit ta japë Taulant Kryeziu nga VV-ja, duke e zëvendësuar Shpejtim Bulliqin, që u bë kryetar komune i Podujevës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.